Parantezë për lexuesin Pas shumë informacionëve të pjesshme për dosjen Balluku dhe hetimin e SPAK-ut mbi tunelin e Llogarasë, Gazeta Reforma sjell këtu përmbledhjen e plotë me faktet, komunikimet dhe akuzat kryesore.
Më 20 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dorëzoi një aktakuzë 45 faqesh ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe pesë zyrtarëve të tjerë, për manipulim të procedurës së tenderimit të tunelit të Llogarasë me vlerë 170 milionë euro. Dosja përfshin komunikime telefonike, mesazhe në aplikacione të ndryshme, dokumente zyrtare, të dhëna të hyrje-daljeve kufitare dhe akte administrative.
Hetimi konsiderohet një nga rastet më të rëndësishme të korrupsionit në nivele të larta qeveritare në Shqipëri. Dokumentet tregojnë koordinim mes zyrtarëve të ministrisë dhe kompanisë fituese që nga faza e përgatitjes së dokumentacionit deri te firma e kontratës.
Projekti
Tuneli i Llogarasë është pjesë e aksit rrugor Vlorë–Sarandë, me gjatësi 6.8 km dhe buxhet 19.18 miliardë lekë (rreth 170 milionë euro). Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte institucioni përgjegjës për procedurën. Në atë kohë, ministrja ishte Belinda Balluku, ndërsa Evis Berberi shërbente si drejtor në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe më pas si drejtues i tij.
Në proces u përfshinë gjithashtu Arta Gurabardhi (këshilltare teknike), Viola Haxhiademi (sekretare e përgjithshme), Valbona Pepa (zyrtare e prokurimit) dhe anëtarë të tjerë të komisioneve të vlerësimit.
Kompania fituese ishte konsorciumi turk Intekar Yapi dhe ASL Insaat, i cili më 8 nëntor 2021 u regjistrua në Shqipëri si “Shoqëri e Thjeshtë Intekar-ASL”.
Kronologjia
Dhjetor 2020. Këshilltarja teknike Arta Gurabardhi i dërgon zyrtares së prokurimit Valbona Pepa dokumentin “Projekt-Ideja Tuneli”. Më 9 dhjetor nënshkruhen urdhrat për ngritjen e komisionit të vlerësimit dhe njësisë së prokurimit. Në komunikimet e përfshira në dosje, përmenden udhëzime nga Evis Berberi për mënyrën e hartimit të dokumenteve.
31 dhjetor 2020. Pas një takimi në ministri, ndryshohen disa kritere të tenderit: eksperienca e kërkuar për kontrata të ngjashme reduktohet nga 5 në 3 vite; kërkesa për vlerën minimale të kontratës ulet nga 70% në 50% të buxhetit; dhe kërkesa për numrin e urave të ndërtuara reduktohet.
Janar 2021. Në komunikim mes Ballukut dhe Berberit, konfirmohet se ndryshimet janë bërë me kërkesë të një personi të identifikuar si “Pellumb”. Ministrja pyet për arsyet dhe diskuton mbi kriteret e reja të përvojës.
Mars 2021. Ministrja i kërkon Berberit të anulojë procedurën dhe të “skualifikojë të gjithë” ofertuesit. Berberi i përgjigjet me detaje të afateve të ankimimeve dhe propozon rishpalljen për të “djegur afatet gjyqësore”.
Më 18 mars, në orën 17:08, komisioni shpall skualifikimin e të gjashtë kompanive pjesëmarrëse.
Prill 2021. Tenderi anulohet zyrtarisht. Zyrtarët komunikojnë për afatet e ankimimeve dhe kohën kur mund të rihapet procedura.
Maj 2021. Fillon procesi i ri. Më 28 maj, Belinda Balluku i dërgon Evis Berberit mesazhin:
“I dashur Visi, marrëdhënia jonë ka kaluar ups and downs shumë herë, por e rëndësishme është që unë ty të konsideroj një nga personat më të afërt… Prej teje varet e ardhmja ime.”
Tre ditë më pas, Berberi emërohet drejtor i përgjithshëm i ARRSH dhe kryetar i komisionit të vlerësimit për tenderin e ri.
Korrik–Gusht 2021. Sipas të dhënave të TIMS, përfaqësues të kompanive turke vizitojnë Shqipërinë disa herë gjatë periudhës së procedurës. Në komunikime mes Ballukut dhe Berberit përmendet se kompania është “e njohur nga Presidenti”. Ministrja dhe drejtori koordinojnë takime me përfaqësuesit e saj gjatë periudhës së tenderit.
7 shtator 2021. Hapet tenderi. Evis Berberi i dërgon ministres të gjitha ofertat në kohë reale, duke përfshirë çmimet e secilit operator dhe ndarjen në përqindje të konsorciumit turk (70–30). Diskutohet zgjatja e vlerësimit për 10–15 ditë për të “dukur sikur po vlerësohet”.
1 tetor 2021. Balluku i kërkon Berberit të publikojë rezultatin. Në orën 16:07, komisioni shpall fitues “Intekar-ASL”. Procesverbali justifikon skualifikimin e katër operatorëve për mungesë dokumentacioni ose certifikatash.
8 nëntor 2021. Shoqëria “Intekar-ASL” regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Po atë ditë firmoset kontrata nr. 4061/13 midis ARRSH dhe konsorciumit turk, me vlerë 17,036,526,000 lekë dhe afat zbatimi 40 muaj.
16 nëntor 2021. Publikohet njoftimi në Buletinin e Prokurimeve.
22 nëntor 2021. Fillojnë punimet.
Shkeljet e konstatuara
Sipas aktakuzës dhe Ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, SPAK identifikon disa shkelje:
- Pranimi i dokumenteve të pa përkthyera ose pa noterizim.
- Mungesa e provave të përvojës për ndërtimin e urave 120 metra sipas kërkesës së tenderit.
- Certifikata ISO të pa akredituara nga organet përkatëse.
- Mungesa e kontratave individuale të punonjësve që vërtetojnë numrin minimal prej 250 punonjësish.
- Dokumente të paplota për pronësinë ose qiranë e makinerive.
Këto mangësi janë cilësuar si kritere që, sipas ligjit, duhet të sillnin skualifikimin e ofertuesit. Sipas dosjes, operatorë të tjerë janë skualifikuar për të njëjtat arsye, ndërsa “Intekar-ASL” është shpallur fitues.
Fitimet e kompanisë fituese
Shoqëria “Intekar-ASL” ka deklaruar fitime të akumuluara për periudhën 2021–2024 në vlerën 2.35 miliardë lekë (rreth 22 milionë euro), të shpërndara si divident tek shoqëritë mëma në Turqi. Fitimet e viteve 2021–2024 janë shpërndarë 100% sipas vendimeve të mbledhjeve të aksionarëve.
Akuzat dhe korniza ligjore
Të pandehur janë:
- Belinda Balluku, ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
- Evis Berberi, drejtor i përgjithshëm i ARRSH
- Mirzeta Kashnica, specialiste e lartë në ministri
- Gentian Gjyli, drejtor në ARRSH
- Erald Elezi, drejtor në ARRSH
- Jetmira Dervishi, specialiste e lartë në ministri
Të gjashtë akuzohen për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, i cili parashikon dënim nga 3 deri në 10 vjet burgim.
Prokuroria mbështet akuzën në bazë të elementeve: ushtrimi i funksionit publik, krijimi i avantazheve për operatorë të caktuar, trajtim i pabarabartë i pjesëmarrësve dhe veprim në bashkëpunim.
Procesi gjyqësor
Pas ngritjes së akuzave, pritet shqyrtimi fillestar nga gjykata për pranueshmërinë e aktakuzës. Më pas do të zhvillohet gjykimi me administrim provash, dëshmi dhe kundërshtime të palëve. Vendimi përfundimtar do të vendosë nëse provat përbëjnë përgjegjësi penale sipas nenit 258 të Kodit Penal.
Përgjegjësia administrative dhe institucionale
Ligji parashikon se funksionarët publikë nën hetim për vepra të korrupsionit pezullohen nga detyra. Ministrat dhe drejtuesit e institucioneve janë përgjegjës politikisht dhe ligjërisht për aktet dhe vendimet që nënshkruajnë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 109 përcakton: “Ministrat janë politikisht dhe ligjërisht përgjegjës për veprimet e tyre dhe dorëhiqen në rastet e parashikuara nga ligji.”
Aktakuza e SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë përmban 45 faqe provash, mesazhe, dokumente dhe akte zyrtare që përshkruajnë një proces tenderimi të ndikuar nga ndërhyrje të drejtpërdrejta. Çështja është në pritje të vendimit gjyqësor për fajësinë ose pafajësinë e të pandehurve.
Tuneli i Llogarasë mbetet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend dhe aktualisht ndodhet në fazën e zbatimit të kontratës.
Vendimi përfundimtar i gjykatës do të përcaktojë nëse janë kryer shkelje penale në këtë proces dhe çfarë pasojash ligjore do të ketë për personat e përfshirë.








