Fieri nuk kishte nevojë për këtë monstër ndotëse, 3km larg qendrës së qytetit, por oligarkët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë nga pas qeverinë. Ajo që çudit opinionin është se si i paguhen koncesionarëve të Inceneratorit të Fierit miliona euro në vit, edhe pse dihet që ky nuk punon, kur plehrat e qytetit nuk përpunohen?
Gazeta Reforma ka zbuluar pikën e errët të kontratës, me të cilën zyrtarët e Qeverisë Rama justifikohen. Kontrata shkruan:
“Në referim të kontratës, neni 5.4 Në çdo kohë gjatë aftit të zbatimit të kësaj kontrate, Autoriteti kontraktues është i detyruar …d) Autoriteti kontraktues është i detyruar të…të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare, sipas aneksit V të bashkëngjitur kësaj kontrate dhe të mos i ndërpresë ato përveçse në rastet e parashikuara nga dispozitat 10.9 dhe 11 të kësaj kontrate. Garantimi i pagesës së kësteve është kusht thelbësor i kësaj kontrate…”
Pika 10 .9 ka të bëjë me braktisjen e projektit. Ndërsa pika 11 flet për kushtet e zgjidhjes së kontratës, ku qeveria nuk gjen asnjë arsye të shkruar që të prishë marrëveshjen koncesionare. Sipas ekspertëve, kontratat bëhen të tilla që kompanitë ta kenë të lehtë në gjyqin e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Kompania po merr pagesa të rregullta nga Thesari edhe pse komuniteti në Qarkun e Fierit, e priti me protesta dhe nuk ka lejuar ndërtimin e impiantit në vendin që ishte planifikuar fillimisht në Mbrostar.
Vetëm para pak ditësh qeveria ka kaluar 2 milion euro për llogari të dy inceneratorëve. Inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës, duke e çuar totalin e fondeve për ta në 75 milion euro. Ku shkojnë këto para?
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, Integrated Technology Waste Treatment Fier, më datën 19 dhjetor 2017 ka ekzekutuar faturën prej 108 milionë lekësh, duke e çuar kështu shumën e përgjithshme të pagesave ndaj kompanisë në 771 milionë lekë ose rreth 5.8 milionë euro.
Nga 11 nëntori i vitit 2016, kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka të drejtën për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit nëpërmjet koncesionit me Partneritetit Publik Privat, teksa ka përfituar nga qeveria 21% të vlerës së investimit.
Sipas Ministrisë së Financave, impianti i mbetjeve në Fier do të kushtojë rreth 3.6 miliardë lekë ose 27 milionë euro. Financimi është përllogaritur të bëhet gjatë periudhës 2017-2022. Kufiri vjetor i financimit është 661.5 mln lekë.
Për të gënjyer votuesit, funksionarët lokalë të Fierit para zgjedhjeve të vitit 2017, premtuan se projekti për mbetjet mund të pezullohej, ndërkohë kompania ishte në kërkim të një vendi ku mund të zhvillonte investimin. Por më vonë kompania mori një vend në hyrje të Fierit. Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thotë se kanë përfunduar 95 për qind e punimeve, ndërkohë që aty nuk punohet.
Ajo që ndodh është se mbetjet grumbullohen, por nuk përpunohen se inceneratori nuk është funksional.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 60,311.72 ton mbetje depozitohen aty çdo vit. Vetëm zona urbane e Fierit, për vitin e fundit, ka depozituar një sasi prej 49,731 ton mbetjesh. Ekspertët e mjedisit kanë deklaruara edhe në gjykatë se ky incenerator është i rrezikshëm për jetën e njerëzve. Ky mendim nuk vlen për qeveritarët, që japin çdo vit paratë e taksapaguesve për këtë koncesion.
/GazetaReforma.com/