Skip to content
Të Gjitha

Djegia e mandateve/ Rama: Ky veprim i opozitës rrezikon çeljen e negociatave me BE-në

· 2 min lexim

Kryeministri Rama ka dalë në një deklaratë të cilën e ka quajtur komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët, ku ka folur rreth gjendjes që ka pushtuar vendin momentalisht me djegien e mandateve të opozitës.

Rama me zërin që dukej i emocionuar ka renditur arritjet që qeveria e tij ka bërë, por njëkohësisht ka pohuar se nuk është e kulluar, por gjithsesi është pushteti që ka zgjedhur shumica e shqiptarëve dhe si e tillë do përgjigjet për ta.

E ndryshe nga ata, Rama tha se opozitarët “sa herë e patën pushtetin prodhuan keqqeverisje me pasoja rrënuese, ndërsa sot prodhon vetëm lajme të këqija”.

“Lënia e mandateve është lajm i keq për demokracinë”, tha Kryeministri duke pranuar për herë të parë se kjo gjë mund të ndikojë në mos çeljen e negociatave me BE-në në qershor të 2019-ës.

“Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare, e dëmshme për jetën politike, kjo është një zgjedhje destruktive, fatkeqësia e këtij vendi që goditet nga bijtë e vetë. Kjo mund të rezultojë fatale për çeljen e negocatave këtë vit ashtu si pamjet e turpshme të së shtunës që bënë xhiron e botës. Nuk jam për të fajësuar opozitën aspak, nuk jam i qetë që opozita sot është kthyer në shqetësim real për partnerët tanë SHBA dhe BE”,- tha kryeministri.

Rama tha ndër të tjera se arsyeja e vërtetë që opozitarët lanë mandatet ishte frik nga drejtësia e re. “Lanë mandatet se s’kanë pas popullin, por frikë nga drejtësia e re që do ndajë politikanët e akuzuar që brenda politikës kanë bërë banjo për macen”.