DITA 53/ “Nëse kanë një pikë burrërie, deputetët e opozitës të ngujohen në Parlament”/ Pensionisti: Marr 10 mijë lekë, detyrohem të punoj në të zezë

Një pensionist i pranishëm në protestën e zhvilluar këtë të martë ka deklaruar se është i detyruar të punojë në të zezë për të mbijetuar, pasi pensioni që përfiton është vetëm 10 mijë lekë të vjetër.
Gjatë prononcimit për mediat, ai u bëri thirrje pensionistëve, metalurgëve, minatorëve dhe naftëtarëve që t’i bashkohen protestës, duke thënë se situata e tyre ekonomike është bërë e papërballueshme.
Në fjalën e tij, i moshuari kritikoi edhe opozitën, duke kërkuar që Sali Berisha dhe deputetët e Partisë Demokratike të ndërmarrin një akt simbolik proteste dhe të ngujohen në Parlament.
“Kam ardhur për t’ju bërë thirrje pensionistëve që janë me 10 mijë lekë të vjetër, metalurgëve, minatorëve të jenë këtu në shesh dhe të mos rrinë në kafe. Unë që kam punuar në uzinën e Mjeksit ishte një deputet në atë kohë, merrte vetëm orët jashtë orarit, tani marrin subvencionime. Unë atëherë merrja 9000 lekë, tani duhet të merrja 900 mijë. Për momentin punoj në të zezë, por dhe këto m’i merr Rama.
Ndaj u bëj thirrje naftëtarëve, minatorëve të vijnë. Patronazhistët marrin 50 mijë lekë edhe policët. Nëse deputetët e opozitës kanë një pikë burrërie, përfaqësojnë 500 mijë vetë atje, të jenë Saliu bashkë me ata, të ngujohen në Parlament”, tha pensionisti.