Korrupsioni në sferën e lartë politike po zbulohet çdo ditë e më shumë, ndërsa SPAK po avancon me hetime në përmasa dhe thellësi të paimagjinueshme të abuzimit me fondet publike dhe jo vetëm. Pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj, duket se radha i është afruar edhe zv.kryeministres Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ish-ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi – dy figura të pushtetit që kanë koordinuar sulmet më të egra ndaj mjedisit, burimeve natyrore dhe pasurisë publike të Shqipërisë.
Sipas informacioneve ende jozyrtare, SPAK ka nisur hetimet ndaj Ballukut, ndërsa Klosi, pavarësisht provave të shumta, ende qarkullon i lirë. Duket se arsyeja që ish-ministri ende nuk është pas hekurave është fakti që ka deklaruar hapur më herët se nëse e thërrasin për ta pyetur për inceneratorët apo mbeturinat e Sharrës, do të tregojë për të gjithë të përfshirët në këto afera korruptive.
Belinda Balluku: Inxhinierja e aferave miliardëshe
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nën drejtimin e Belinda Ballukut është kthyer në një “fabrikë” aferash korruptive. Balluku ka orkestuar disa prej skemave më të dëmshme për buxhetin e shtetit:
- Skandali i tunelit të Llogarasë – 50 milionë euro të shpërdoruara
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka denoncuar publikisht në janar 2024 se Balluku anuloi tenderin fitues prej 140 milionë eurosh të kompanisë Gjoka dhe e rikaloi në favor të një kompanie turke për 190 milionë euro – 50 milionë më shumë! Ironia e madhe është se punën e realizoi përsëri Gjoka si nënkontraktor, ndërsa kompania turke “fitoi” 32 milionë euro pa bërë asnjë punë.
SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se po heton këtë çështje. Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar se “deklaratat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për kontratën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë janë në proces hetimor”, duke refuzuar të japë më shumë detaje “për efekt hetimi”.
- Skandali Thumanë-Kashar: Një miliard euro në xhepat e oligarkëve
Autostradat e Ballukut po shndërrohen në makina të vërteta për prodhimin e parave për oligarkët. Rasti më flagrant është autostrada Thumanë-Kashar, me vlerë 1.3 miliardë euro, projekt i dhënë me koncesion kompanisë “G2 Infra” të Bashkim Ulajt.
Sipas dokumenteve, ndërtimi i kësaj autostrade 20.8 kilometra të gjatë ka kushtuar 330 milionë euro – një shifër marramendëse prej 15.8 milionë euro për kilometër! Ky projekt fillimisht ishte vlerësuar me 268 milionë euro, por çmimi final u rrit në mënyrë të pajustifikuar me 62 milionë euro.
Norma e kthimit të investimit u rrit nga 7.6% në 8.11%, duke çuar vlerën totale të pagesave për këtë koncesion nga 445 milionë euro në 1.3 miliardë euro për 35 vitet e ardhshme. Kjo do të thotë se kompania koncesionare do të fitojë 575 milionë euro në total, ose 16.5 milionë euro në vit – një kthim investimi që tejkalon çdo standard normal biznesi.
Ky çmim absurd, 5 herë më i lartë se standarti ndërkombëtar për ndërtimin e rrugëve të ngjashme, nuk ka asnjë justifikim teknik apo ekonomik, por është thjesht një mekanizëm i sofistikuar për të derdhur paratë publike në xhepa privatë.
- Skandali i “Tigrave të Belës”: 121 milionë dollarë për ZERO energji
Në tetor 2021, Balluku orkestroi një mashtrim të pastër, duke shpallur një gjendje emergjence energjitike që kurrë nuk ekzistoi. Me këtë pretekst, u morën me qira dy anije gjeneruese të vjetra, të quajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, në një procedurë tenderuese qartësisht të manipuluar.
Deri më sot, KESH ka paguar 70 milionë dollarë vetëm për qiranë e këtyre anijeve, 40 milionë për akomodimin e tyre, dhe 11 milionë për karburant – gjithsej 121 milionë dollarë për anije që nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji!
Këto anije ishin blerë nga kompania fituese për vetëm 15 milionë dollarë, pak para se të fitonte tenderin në Shqipëri. Ato ishin tërësisht jashtë përdorimit që nga viti 2018 dhe ishin nxjerrë në shitje nga Bangladeshi si skrap.
Skandali merr përmasa të rrezikshme kur zbulohet se karburanti për këto anije u ble nga kompania “EMAD Energy SA”, e lidhur me “ASB Group” të Turqisë – një grup i sanksionuar nga SHBA për lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit. Ky lloj veprimi, përtej korrupsionit, mund të përbëjë edhe rrezik për sigurinë kombëtare.
- Vjedhja e ujit të fshatarëve për oligarkët
Në dhjetor 2024, Balluku nënshkroi një tender 10 milionë euro për “Gjoka Konstruksion” për të devijuar burimet e ujit të fshatit Drimadhë drejt komplekseve luksoze në bregdet. Kjo skemë cinike po privon fshatarët nga uji i pijshëm për ta drejtuar atë në pishinat e vilat luksoze në Green Coast dhe resortet e tjera turistike.
Një krim ekologjik dhe social i paprecedentë – komunitetet lokale të bregdetit mbeten pa ujë të pijshëm, ndërsa miliona litra ujë drejtohen për të mbushur pishina luksoze e për të ujitur fushat e golfit. Vera që po afron pritet të sjellë një krizë uji më të rëndë se kurrë për banorët vendas, ndërsa turistët e pasur do të shijojnë ujin e grabitur nga fshatrat.
- Ministria e shndërruar në ndërmarrje familjare
Treçereku i drejtorëve të Ballukut janë ose në hetim, ose të arrestuar për korrupsion dhe abuzim. Një organizatë e vërtetë kriminale e maskuar si ministri.
Provat tregojnë se Balluku ka krijuar një skemë të sofistikuar ku administratën publike e ka kthyer në ndërmarrje familjare: Babai i zv.ministrit Ami Kozeli ka përfituar 4 herë nga përjashtime nga TVSH-ja për projektet e Rindërtimit, ndërsa familjarë të drejtorit të saj të kabinetit kanë ortakëri me biznese që fitojnë tendera milionëshe.
Nëpërmjet një rrjeti të komplikuar lidhjesh, familjarë të zyrtarëve të lartë marrin fonde publike nga tenderë që kontrollohen nga të afërmit e tyre në administratë – një skemë kriminale e sofistikuar që po i kushton miliona euro taksapaguesve shqiptarë çdo vit.
- Bashkëpunëtorët më të afërt të Ballukut, nën hetim dhe pas hekurave
Rrathët e korrupsionit pranë Ballukut po mbyllen gjithnjë e më shumë. Evis Berberi, një nga drejtuesit më të afërt të ministres, tashmë ndodhet pas hekurave i akuzuar për pastrim parash dhe korrupsion. Gjatë kontrolleve, agjentët e BKH-së dhe SPAK zbuluan 12 aparate celulare. Po ashtu piktura me vlerë mijëra euro dhe një shumë të konsiderueshme parash që dyshohet të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Pikturat e gjetura janë konsideruar nga SPAK si ryshfet, pavarësisht pretendimit absurd të Berberit se i kishte pikturuar vetë. Berberi ka qenë për vite në rrethin e brendshëm të ministres Balluku – fillimisht si drejtues i Prokurimeve në ALBCONTROL (2013-2019), më pas si Këshilltar pranë ministrisë, drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, dhe së fundmi në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në të gjitha këto pozicione, Berberi ka përdorur postet zyrtare për të kanalizuar fonde publike drejt kompanisë së tij private “DAAM shpk”.
Gjithashtu, më herët SPAK ka sekuestruar edhe telefonin e Viola Haxhiademit, Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo sekuestro është realizuar në kuadër të hetimeve për abuzim me detyrën dhe korrupsion në këtë ministri. Haxhiademi, figura më e lartë administrative e ministrisë pas Ballukut, thuhet se disponon informacione vendimtare për skemat e korrupsionit dhe të shpërndarjes së parave në ministri.
Blendi Klosi: Shkatërruesi i mjedisit dhe i arkës publike
Blendi Klosi, ish-ministri i Turizmit dhe Mjedisit, përfaqëson njeriun që u betua të mbrojë mjedisin, por në fakt e shkatërroi atë sistematikisht për përfitime private. Lidhjet e tij me oligarkun Samir Mane janë bërë tashmë legjendare, ndërsa në kurriz të natyrës shqiptare, këto dy figura kanë ndërtuar perandori financiare që sfidojnë çdo logjikë ekonomike të ligjshme.
- Skandali i vilës në Green Coast
Klosi zotëron një vilë luksoze në kompleksin “Green Coast” në Palasë, e regjistruar në emër të mikut të tij besnik, Dritan Shakohoxha. Vila ka shtesa pa leje, punime cilësore superiore krahasuar me vilat e tjera dhe mobilim përrallor. Vetëm mermeri i sjellë nga guroret e Skraparit kushton sa një vilë e zakonshme.
Sipas informacioneve, as Klosi, as Shakohoxha nuk kanë burime të ligjshme të ardhurash për të blerë dhe mbajtur një pronë të tillë. Veç kësaj vile, Klosi jeton në një apartament 368 m² me vlerë mbi 500 mijë euro në pallatin Park Gate pranë Parkut të Liqenit, i regjistruar në emrin e Sandër Frangajt.
Ish-ministri shpalos një pasuri marramendëse që nuk mund ta justifikojë me burime të ligjshme. Kjo është një shuplakë e hapur ndaj çdo qytetari të ndershëm, ndërsa institucionet heshtin.
- Projekti “Smile Albania” dhe anija e mbytur: Vjedhja e fondeve publike për bizneset e oligarkëve
Një tjetër aferë e Klosit është përdorimi i projektit qeveritar “Smile Albania” për të promovuar në mënyrë ekskluzive kompleksin privat “Green Coast” të Samir Manes. Të rinjtë e punësuar në këtë projekt, të paguar me 30,000 lekë në muaj nga taksat e qytetarëve, u përdorën si promotorë të një biznesi privat – një shkelje flagrante e ligjit dhe një shpërdorim i pashembullt i burimeve publike.
Kulmi i këtij favorizimi erdhi me fundosjen e qëllimshme të anijes Y-21 përballë kompleksit “Green Coast” më 28 korrik 2020, për turizëm nënujor. Kur Zv.Komandanti i Flotës Ushtarake Detare, Artur Meçollari, kundërshtoi këtë vendim, ai u shkarkua menjëherë nga detyra – një sinjal i hapur se çdo kundërshtim ndaj interesave të oligarkëve do të ndëshkohej pa mëshirë.
- Skandali i Inceneratorëve dhe Landfillit të Sharrës
Në 1308 faqe dokumentash të SPAK, emri i Blendi Klosit del 27 herë si kontaktues konfidencial me Klodian Zoton e Mirel Mërtirin dhe firmosës i 15 dokumenteve për landfillin e Tiranës.
Situata në Landfillin e Sharrës është aq alarmante, sa ish-zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Cuci, deklaroi publikisht se “Landfilli i Sharrës ka nisur shkresa që të mos i çojnë më mbeturina, se është i mbushur plot e përplot”. Ndërkohë, Klosi qëndronte i heshtur anash saj në studion e “Opinion”.
- Shkatërrimi i Parqeve Kombëtare për përfitime private
Banorët e Zall-Gjocaj e kanë kallëzuar Klosin në SPAK për shpërdorim detyre, duke e akuzuar se i ka “dhënë fuqi ligjore dokumentave që bazohen në të dhëna të rreme, fiktive dhe të fabrikuara, duke favorizuar ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës”.
Ky është një krim mjedisor i paprecedentë! Dëmi ekologjik është katastrofik – parku kombëtar po shkatërrohet ndërsa infrastruktura jetike e fshatrave përreth po shembet plotësisht. Burimet e ujit, trashëgimia natyrore dhe ekosistemet e mbrojtura po shkatërrohen në mënyrë të pakthyeshme për t’i hapur rrugë projekteve që përfitojnë vetëm një grusht biznesmenësh të lidhur me pushtetin.
Pse SPAK nuk vepron? Teatri i drejtësisë dhe mbrojtja e “të paprekurve”
SPAK ende nuk ka vepruar kundër këtyre dy plaçkitësve, pavarësisht provave të shumta e konkrete. Duket sikur për drejtësinë shqiptare ekzistojnë dy standarde – një për zyrtarët e nivelit të mesëm dhe një tjetër, plotësisht i ndryshëm, për hierarkinë e lartë të pushtetit.
Në rastin e Klosit, shpjegimi i kësaj lirie të çuditshme përkundrejt provave të shumta është i thjeshtë – ai ka deklaruar hapur më herët se nëse e thërrasin për ta pyetur për inceneratorët apo mbeturinat e Sharrës, do të tregojë për të gjithë të përfshirët në këto afera korruptive. Ky kërcënim i hapur për të zbuluar të gjithë zinxhirin e korrupsionit duket se po i siguron një imunitet të cilit po i vjen fundi.
Për ministren Balluku, situata është më komplekse. Ajo mbetet një nga figurat më të mbrojtura të qeverisë, pavarësisht numrit të madh të drejtorëve të saj që janë arrestuar për korrupsion.
Sa miliarda euro do të vidhen ende nga arka e shtetit derisa drejtësia të veprojë ndaj këtyre dy figurave kryesore të dinastisë së korrupsionit? Balluku dhe Klosi duhet të përgjigjen për grabitjen më të madhe që i është bërë vendit në dekada! Ora e drejtësisë po afron!
/gazetareforma.com