Skip to content
Rajoni

‘Dialog ose konflikt’/ Presidentja e Kosovës reagon pas deklaratës së Vuçiç: Pres që NATO dhe BE…

· 2 min lexim

Deklarata provokative e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një konflikt të mundshëm të ri me Kosovën, ka ngjallur reagimin e menjëhershëm sot të Presidentes në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka reaguar pas deklaratës së Vuçiç, që paralelizonte luftën në Nagorno-Karabakh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, me atë të mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.

Në lidhje me bisedimet me Kosovën, presidenti serb Vuçiç tha tekstualisht se, “Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”,- duke i’u referuar luftës në Nagorno-Karabakh.

Por Osmani, kërkoi sot menjëherë nga NATO dhe BE, që t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë pikërisht nga homologu i saj Vuçiç.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO t’i përgjigjen këtij kërcënimi, për një luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiç”,- tha Osmani.

Presidenti Vuçiç, tha sot para gazetarëve gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Kuintit, se konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.

Grupi i “Kuintit” përbëhet nga: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai theksoi se, Beogradi duhet të punojë për arritjen e zgjidhjes përmes kompromisit me Kosovën.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”,- ka theksuar Vuçiç.

Presidenti i Serbisë ka thënë sot gjithashtu se, ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, ka deklaruar që Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

/GazetaReforma.com/