Skip to content
Kryesore

Dhunohet analisti Ilir Demaliaj, Policia shpall në kërkim autorin e dyshuar dhe sekuestron makinën

· 1 min lexim

Analisti Ilir Demaliaj është dhunuar mesditën e sotme në Tiranë, ndërsa po dilte nga banesa e tij. Sipas informacioneve paraprake, ai është goditur nga dy persona, ndërsa pretendon se njëri prej tyre është banor i zonës ku jeton.

Lajmi u konfirmua edhe nga gazetari Bledi Mane, i cili publikoi në rrjetet sociale fotografi të Demaliajt pas incidentit.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht, duke bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën “Çamëria”. Sipas policisë, gazetari me inicialet I. D. është goditur me grusht, dyshohet për motive të dobëta, dhe më pas është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme, uniformat blu kanë identifikuar autorin e dyshuar, shtetasin me inicialet R. S., i cili është shpallur në kërkim. Paralelisht, është bllokuar dhe sekuestruar automjeti që dyshohet se është përdorur prej tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar.