Skip to content
Të Gjitha

COVID-19 dëmton shitjet e bizneseve me pakicë, INSTAT: Hotelet, baret/restorantet dhe agjencitë, sektorët më të goditur

· 2 min lexim

Pandemia globale e COVID-19 përveç reduktimit të të ardhurave, duket se ka ndikuar edhe tek tregtia me pakicë.

Në tremujorin e parë 2020, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi 99,9. Shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë ulur 0,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht ka pësuar rënie 4,3 %, ndikuar kryesisht nga muaji Mars.

Sipas INSTAT, bzneset e sektorit të turizmit në tre muajt e parë janë përballur me rënië. Ndërkohë që më të fituarit gjatë karantinës kanë qenë riparuesit e makinave dhe shërbimi postar.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në tremujorin e –parë, shitjet neto në sektorin e Hoteleve kanë rënë me 7.9%.  Ato qëndruan të kyçura deri në muajin maj dhe për shkak të mbylljes së kufijve edhe rezervimet apo aktivitetet që mund të zhvilloheshin në ambientet e tyre, u anuluan ose u shtynë për në një moment tjetër.

Më pas janë agjencitë turistike, që praktikisht ende janë pjesërisht të mbyllura pasi kufijtë ajror nuk janë hapur të gjithë, dhe mungojnë shitjet e biletave apo rezervimeve të ndryshme. Në tremujorin e parë të këtij viti shitjet neto të agjencive turistike kanë rënë me 7.3% krahasuar me 2019, e pasuar nga sektori i bareve dhe restoranteve, ku shitjet kanë rënë 4.8%.

Më pak të punësuar në bare e restorante tregojnë të dhënat e INSTAT për periudhën Janar-Mars duke pësuar rënie 21,7 %, krahasuar me vitin 2019.

Një panoramë optimiste vjen nga riparuesit e automjeteve dhe motoçikletave, kategoria e transportit me postë si dhe grupi i informacion dhe telekomunikacion.

Ndryshe nga të tjerët ata kanë fituar më shumë të ardhura gjatë periudhës së karantinës.