Të inkurajuar me tërheqjen e Perëndimit nga Afganistani, komandantët talebanë thonë se janë të sigurt se mund të mposhtin grupin terrorist të Shtetit Islamik, i cili mori përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës të muajit të kaluar në aeroportin e Kabulit, duke vrarë 13 ushtarë amerikanë dhe të paktën 170 civilë afganë.
Pas një sërë përleshjesh mes talebanëve dhe Shtetit Islamik të Khorosanit javën e kaluar në perëndim të Kabulit, një komandant taleban u mburr para gazetarëve perëndimorë duke thënë se sundimtarët e rinj të Afganistanit do të mposhtin rivalët e tyre, ashtu siç e detyruan NATO-n të tërhiqej nga vendi.
Disa analistë parashikojnë se lufta mes talebanëve dhe Shtetit Islamik në Afgansitan do të jetë një betejë mes militantëve të pamëshirshëm xhihadistë.
Edhe para tërheqjes së forcave amerikane këtë javë, talebanët ekzekutuan disa komandantë të lartë të Shtetit Islamik, përfshirë ish-udhëheqësin e tyre të lartë Mawlawi Ziya ul-Haq, të burgosur nga qeveria afgane e Ashraf Ghanit.
Ekzekutimet u raportuan për herë të parë nga gazeta amerikane The Wall Street Journal.
Khorasan ishte një rajon islamik i shekullit të gjashtë që përfshinte pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit të sotëm, si dhe pjesë të Azisë Qendrore.
Faktori ndërlikues
Shteti Islamik i Khorosanit ka potencialin të bëhet problematik për sundimtarët e rinj të Afganistanit, duke i ndërlikuar përpjekjet e tyre për të konsoliduar pushtetin dhe për të krijuar një qeveri kombëtare, thonë zyrtarë ushtarakë perëndimorë dhe analistë të pavarur të anti-terrorizmit. “Talebanët përballen me kërcënimin nga ISIS-K”, tha në një koment të martën Anthony Cordesman, analist për Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një institucion kërkimor në Uashington.
Seth Jones, ish-këshilltar i komandantit të Forcave Speciale amerikane në Afganistan, i cili tani punon në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se ISIS-K tani ka “shumë mundësi për ringjallje”. Ai thekson se kapaciteti i këtij grupi kishte rënë kohët e fundit falë forcave amerikane dhe afgane që kryenin “sulme të vazhdueshme” ndaj tij. Zoti Jones vlerëson se numri i militantëve të këtij grupi kishte rënë nga rreth 6,000 në 2,000.
ISIS-K u shfaq për herë të parë në Afganistan në fund të vitit 2014, pasi militantët e tij pakistanezë kaluan në Afganistan për t’i shpëtuar një ofensive të ushtrisë pakistaneze. Grupi ka kryer dhjetëra sulme vdekjeprurëse dhe shpërthime vetëvrasëse gjatë viteve të fundit dhe është fajësuar për disa nga mizoritë më të rënda të fundit, duke përfshirë ekzekutime të vajzave në shkolla, infermiereve dhe grave shtatzëna në spitale.
Sulmi i javës së kaluar në aeroportin e Kabulit dëshmoi aftësinë e këtij për dhunë.
Themeluesi i grupit, Abdul Rauf Aliza, ishte një komandant taleban i nivelit krahinor para mosmarrëveshjeve të tij me udhëheqjen talebane në vitin 2014. Ai u vra në një sulm amerikan me dron në shkurt të vitit 2015. Udhëheqësi aktual i Shtetit Islamik në Afganistan, Shahab al-Muhajir, është gjithashtu një ish-komandant taleban i rangut të mesëm, i cili gjithashtu ka punuar me al-Kaidën dhe dyshohet nga disa zyrtarë perëndimorë të sigurisë se ende ruan lidhje të ngushta me drejtuesit e rrjetit Hakani, një fraksion i madh taleban që aktualisht është përgjegjës për sigurinë në kryeqytetin afgan.
Duke marrë parasysh dyshimet për këto lidhje, Michael Pregent, një ish-zyrtar i inteligjencës amerikane dhe tani analist në Institutin Hudson tha javën e kaluar se elementë të talebanëve ka të ngjarë të kenë bashkëpunuar në organizimin e sulmit në aeroportin e Kabulit. “Nëse sulmi është kryer nga ISIS-K, ata do të duhej të kalonin përmes zonës së sigurisë të kontrolluar nga rrjeti Hakani që ka nën kontroll Kabulin dhe ka një aparat inteligjence”. Ai shtoi se sulmuesi gjithashtu arriti të kalonte nëpër “pika të shumta kontrolli të talebanëve për të sulmuar amerikanët”.
Pavarësisht nëse është një bashkëpunëtor i plotë i ISIS-it apo jo, Shahab al-Muhajiri shihet si shumë ambicioz dhe bërthama udhëheqëse e grupit të tij duket se është e etur tani për t’u zgjeruar në Afganistan. Në forumet xhihadiste në internet që mbështesin Shtetin Islamik, si dhe ato të dominuara nga al-Kaida ka patur diskutime mbi ndryshimin e fokusit nga Siria tek Afganistani.
Në një raport të OKB-së, të publikuar vitin e kaluar, thuhet se al-Muhajiri dëshironte të zgjeronte radhët e ISIS-K me luftëtarë të pakënaqur talebanë dhe militantë të tjerë. Ai ka të ngjarë të përfitojë nga çdo veprim i gabuar i talebanëve dhe nga mosmarrëveshjet midis komandantëve talebanë të rajoneve të ndryshme të vendit.
Nëse udhëheqësit talebanë janë seriozë në synimet e tyre për zbatimin e një Sheriati më të moderuar dhe për të qenë më pak shtypës sesa në vitet 1990, siç kanë premtuar udhëheqësit e tyre të lartë në deklaratat e tyre publike, atëherë ata rrezikojnë të ndeshen me kalim të një numri të ushtarëve të tyre në radhët e ISIS-K, thonë disa punonjës të OJQ-ve.
Shefja e një organizate jo-qeveritare evropiane i tha Zërit të Amerikës këtë javë se ajo ka vënë re dallime të qarta gjeografike në të gjithë vendin kur bëhet fjalë për mënyrën se si qeverisin talebanët.
“Në jug, ne ende nuk kemi marrë miratimin për të lejuar meshkujt dhe femrat të punojnë bashkë. Ata na kanë thënë se punonjësit tanë mund të rifillojnë punën, por jo punonjëset tona”, tha ajo, me kusht që emri i saj të mos publikohej në këtë raport.
Sipas zyrtarëve të OKB-së, duke marrë parasysh që vendi po ndeshet me mungesa katastrofike të ushqimit, nivel të lartë papunësie dhe sisteme të shkatërruara të shëndetësisë dhe arsimit, ISIS-K do të ketë mundësi të shfrytëzojë shumë pakënaqësi të njerëzve në Afganistan.
Disa zyrtarë perëndimorë të sigurisë gjithashtu thonë se Afganistani, me rreth 14 pakica të ndryshme etnike, është një vend i përshtatshëm për Shtetin Islamik, i cili ka qenë i aftë të shfrytëzojë përçarjet sektare në Siri dhe Irak. Ata theksojnë se shumë prej sulmeve të ISIS-K kanë patur në shënjestër pakicën shiite Hazara të Afganistanit./VOA