Po përsëritet e njëjta histori, i njëjti mashtrim, i njëjti spektakël i shëmtuar që qeveria Rama di ta luajë në çdo fatkeqësi. Me të njëjtat fjali, me të njëjtën maskë në fytyrë dhe me të njëjtin qëllim: të mbulojë paaftësinë dhe vjedhjet me fjalë boshe dhe premtime që nuk realizohen kurrë.
Pas zjarreve të ditëve të fundit, që prekën 207 banesa në të gjithë vendin, nga të cilat 40 u shkrumbuan plotësisht, Edi Rama doli sërish në ekran dhe u tha qytetarëve se “shteti do jetë në krah të tyre”, se “do t’u rindërtohen shtëpi më të mira”, se “asnjë nuk do mbetet vetëm”. Fjalë të njohura. Po të njëjtat fjalë që i tha edhe në 2019-ën, pas tërmetit, kur Shqipëria u trondit nga një tragjedi që la pas 51 viktima dhe mijëra të pastrehë.
Atëherë Rama bëri show me ndihmat, u tall me njerëzit që kërkonin strehim dhe mbushi ekranet me propagandë dhe spote emocionuese. Premtoi se do rindërtohej Shqipëria “më e bukur se kurrë më parë”, por realiteti është tjetër: edhe sot, pas 7 vitesh, ka familje që jetojnë në çadra, në kontenierë, ose me qira që shteti nuk ua paguan më. Janë ata njerëz që dolën nga shtëpitë e tyre të rrënuara dhe nuk panë më kurrë një çelës në dorë. Janë po ata që u mashtruan dhe sot heshtin në mjerim.
Qindra milionë euro nga fondet e rindërtimit u premtuan, u hodhën në tendera, u mbajtën konferenca, u bë edhe një “Kongres i Rindërtimit”. Donatorë të huaj dhanë miliona në një tryezë të madhe në Bruksel, por askush nuk pyeti më ku përfunduan ato para. Sot, askush nuk jep llogari. Shtëpitë mungojnë. Transparenca është zero. Ndërkohë, Rama vazhdon të shfaqet në video-mesazhe nga Facebook-u dhe të japë premtime të reja, pa u përballur kurrë me përgjegjësinë për premtimet e vjetra.
Edhe zjarret, që këtë verë dogjën fshatra të tëra, zbuluan një tjetër faqe të errët të kësaj qeverie: mungesën totale të pajisjeve për emergjenca, mjetet primitive të shuarjes së flakëve, mungesën e avionëve zjarrfikës dhe mbi të gjitha, indiferencën shtetërore për të parandaluar dëmet. Paratë që duheshin për të blerë pajisje dhe për të përballuar emergjencat u zhdukën, u vodhën, u përdorën për çdo gjë tjetër, përveç se për të mbrojtur qytetarët. Dhe kur gjithçka digjet, Rama del përsëri me premtimin se do ndërtojë shtëpi “më të forta dhe më të mira”.
Po kush të beson më? Si mund të kërkosh besim, kur qytetarët e tu kanë shtatë vjet që flenë në shi, në baltë, në çadra? Si mund t’i thuash një shqiptari që humbi gjithçka “do të ta bëj falas”, kur e dimë të gjithë se paratë që përdor janë të qytetarëve, janë taksat tona, janë fondet publike që ti i ke vjedhur sistematikisht? Dhe si mund të quhet “falas” një shtëpi që nuk ndërtohet kurrë?
Rama premton të na bëjë shtëpi me leket që s’i takojnë, me fondet që i ka vjedhur dhe do t’i vjedhë përsëri. Mashtrime, gënjeshtra, show.
Shqiptarët nuk kanë më luksin të besojnë në përralla që përsëriten pas çdo tragjedie. Janë të njëjtat premtime që nuk çojnë askund, të njëjtat fjali që vijnë nga i njëjti njeri që ka pasur çdo mundësi në dorë dhe i ka shpërdoruar të gjitha.
A mund të quhet ende kryeministër dikush që pas çdo fatkeqësie ‘lan duart’ me një status e një slogan, por nuk jep llogari për asgjë? A mund të tolerohet më një qeveri që rindërton vetëm në fjalë, por vidhet realisht në çdo krizë? Përgjigjet i dimë të gjithë. Koha e mashtrimeve ka mbaruar!