Skip to content
Bota

Brukseli prezanton planin prej 150 mld eurosh për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse

· 2 min lexim

Bashkimi Evropian pritet të miratojë sot zyrtarisht një skemë financiare prej 150 miliardë eurosh, që synon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në të gjithë bllokun.

Iniciativa, e njohur si SAFE, u propozua nga Komisioni Evropian në muajin mars, si reagim ndaj kërkesave në rritje të vendeve anëtare për përforcim të kapaciteteve mbrojtëse dhe për të adresuar angazhimet e reja të nxitura nga NATO.

Dokumenti përfundimtar i rregullores vë theksin mbi kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Bjellorusia, duke i konsideruar ato me “rëndësi dhe urgjencë të veçantë”.

Në këtë kuadër, Brukseli thekson nevojën për reagim të shpejtë dhe koordinim strategjik midis vendeve anëtare.

Një tjetër arsye për urgjencën e këtij plani është edhe rreziku i zhvendosjes së fokusit amerikan nga Ukraina, çka ka shtyrë BE-në të konsiderojë mundësinë e marrjes së rolit mbështetës kryesor për Kievin.

Për të përshpejtuar procesin, rregullorja kërkon që mbështetja për industrinë e mbrojtjes të nisë menjëherë, me qëllim që vendet anëtare të mund të bëjnë porosi dhe të nisin prodhimin në kohë.

Rritja e kapacitetit industrial brenda BE-së shihet si element kyç për autonominë strategjike të bllokut.

Për të lehtësuar këtë përpjekje, BE ka aktivizuar edhe klauzolën e përjashtimit për shpenzimet ushtarake, duke përjashtuar kostot për armë dhe municione nga rregullat e zakonshme fiskale që ndëshkojnë shpenzimet tej kufijve të përcaktuar nga unioni.