Skip to content
Uncategorized

Briken Calja garoi pa trajner në Olimpiadë, vendin e tij e kishte zënë presidenti i federatës

· 2 min lexim

Briken Calja shënoi një arritje të madhe për sportin shqiptar duke u renditur i katërti në Lojërat Olimpike. Me vetëm një kilogramë, peshngritësi humbi podiumin, por çudia e radhës vjen nga institucionet e sportit shqiptar. Panorama Sport shkruan se Calja ishte pa trajnerin e tij, Gerald Toska,  në “Tokio 2020”. Vendin e këtij të fundit nuk e kishte zënë një trajner tjetër, por presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili pavarësisht se dikur  ka qenë peshëngritës, nuk mund ta zëvendësojë rolin e trajnerit.

Më tej Panoram Sport shkruan se Shqipëria nuk ka as psikolog me vete në Olimpiadë, ndërsa një trajner është i domosdosshëm për sportistin pasi është ai që e ka stërvitur gjatë gjithë kohës dhe i njeh avantazhet dhe dobësitë. Ndërkohë që vendet e tjera shkojnë me staf të zgjeruar në mënyrë që të bëjnë sa më mirë, me vendin tonë nuk ndodh kështu.

Por ky nuk është rasti i vetëm i një sportisti shqiptar pa trajner në Lojërat Olimpike. Në vend të trajnerit të Izmir Smajlajt, është presidenti i federatës së atletikës, Gjergj Ruli.

Sa i rëndësishëm është trajneri për një sportist e tregon triumfi i xhudisteve kosovare, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Trajneri Driton Kuka ka qenë në çdo çast i pranishëm, ashtu siç ishte edhe në triumfin e Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”.

Mungesa e trajnerit është diçka që ndodh tek dy nga sportistët me pritshmëritë më të larta dhe me disa medalje në kampionatet ndërkombëtare, ndërsa Komiteti Olimpik Shqiptar nuk e ka bërë ende publike listën e plotë me delegacionin që kanë udhëtuar në Tokio.