Breshëri pyetjesh nga mediat botërore për projektet e Kushner, SPAK: Nuk ka hetim për dhëndrin e Trump

Interesi i mediave më të mëdha ndërkombëtare për projektet turistike në bregdetin shqiptar, të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, ka sjellë një valë kërkesash zyrtare drejtuar Prokurorisë së Posaçme.
Fox News, CNN, The New York Times, CBS News, The Times, Anadolu Agency, Rai Tre dhe media të tjera kanë kërkuar të dinë nëse SPAK po heton projektet në Sazan, Zvërnec dhe Vjosë Nartë, ndryshimet ligjore të vitit 2024, si edhe transaksionet e tokave në këto zona.
Në të gjitha përgjigjet e dhëna, SPAK mban të njëjtin qëndrim. Prokuroria e Posaçme thekson se nuk ka asnjë hetim të hapur që lidhet me Jared Kushner apo me ndonjë projekt të lidhur me të.
Institucioni konfirmon se ka regjistruar një hetim, por sqaron se ai nuk ka lidhje me çështjet për të cilat kanë kërkuar informacion mediat e huaja. Për shkak të sekretit hetimor dhe konfidencialitetit të procedimeve në fazën paraprake, SPAK shprehet se nuk mund të japë detaje të tjera.
Një nga pyetjet e Fox News kërkonte konfirmim nëse po zhvillohej një hetim për një projekt të lidhur me Jared Kushner. Në përgjigje, SPAK deklaron se “nuk ka asnjë hetim të hapur që lidhet me ndonjë projekt të lidhur me z. Jared Kushner”, ndërsa shton se hetimi i regjistruar nuk ka lidhje me objektin e kësaj kërkese.
Pyetje të ngjashme kanë ardhur edhe nga The New York Times, CNN dhe CBS News, të cilat kërkonin sqarime për ndryshimet e statusit të mbrojtjes së zonave në Ishullin e Sazanit dhe Vjosë Nartë, projektet e planifikuara turistike, si edhe blerjet e tokave apo aktivitetin e kompanive të përfshira.
Në të gjitha rastet, SPAK përsërit se nuk po heton asnjë projekt të lidhur me Jared Kushner, ndërsa konfirmon vetëm ekzistencën e një hetimi tjetër, për të cilin nuk jep informacion për shkak të konfidencialitetit të procedurës.
Anadolu Agency kërkoi gjithashtu informacion mbi raportimet për sekuestrim preventiv të llogarive bankare të kompanisë Albania Land Development. SPAK mohoi se ka marrë një masë të tillë, duke sqaruar se nuk ka urdhëruar sekuestrim të llogarive bankare të kësaj kompanie.
Edhe kërkesat për intervista me përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme, të paraqitura nga media si MSNBC dhe Rai Tre, nuk morën përgjigje pozitive. SPAK argumentoi se, për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të hetimeve në vijim, nuk mund të ofrojë informacione shtesë përtej njoftimeve publike.
Ndërkohë, në përgjigjen ndaj CBS News, SPAK konfirmon se ka regjistruar një hetim, por thekson qartë se ai “nuk lidhet me asnjë projekt apo kompani të lidhur me z. Jared Kushner”.
Edhe The Times kërkoi dokumente që lidhen me procedime, hetime, verifikime, kallëzime, sekuestrime apo veprime të tjera të mundshme të SPAK për vendimet e marra që nga viti 2024 lidhur me ndryshimin e statusit të zonave të mbrojtura, dhënien e statusit “Investitor Strategjik” apo zhvillimet turistike në Ishullin e Sazanit.
Në përgjigje, SPAK konfirmoi se ekziston një hetim, por përsëriti se nuk mund të bëhen publike detaje të mëtejshme për sa kohë procedimi ndodhet në fazën paraprake, duke shtuar se përtej njoftimeve zyrtare nuk ka informacion tjetër për të bërë publik.