Skip to content
Kryesore

“Bosi i mikrokredive” kërkoi lirimin nga qelia, GJKKO jep vendimin

· 1 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Meskutin, i cili akuzohet për mashtrimin e mijëra qytetarëve përmes një skeme të paligjshme mikrokredish.

Meskuti, pronar i disa shoqërive financiare, dyshohet se ka ngritur një skemë piramidale, duke blerë me çmime të ulëta kredi të pashlyera dhe më pas duke kërkuar shlyerjen e tyre me vlerë të plotë nga debitorët, përmes praktikave të dyshimta ligjore.

Hetimet për këtë çështje nisën në shkurt të vitit 2020 nga Prokuroria e Tiranës, pas një kallëzimi të Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë hetimeve u zbulua se pesë shoqëri financiare Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS dhe FLASH kishin blerë nga një bankë e nivelit të dytë një portofol prej 3,999 kredish të këqija, me një vlerë totale prej rreth 7.3 milionë euro.

Në dhjetor të vitit të kaluar, dosja e mikrokredive u transferua nga Prokuroria e Tiranës në SPAK, duke kaluar në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura për një masë më të lehtë sigurie, gjykatat vazhdojnë të refuzojnë lirimin e Meskutit, duke e lënë atë në paraburgim.