Bllokimi i 10 mijë maskave në doganën greke, Ruçi dhe homologët e Ballkanit Perëndimor letër BE-së

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ditën e djeshme në doganën greke të Pireut, u bllokua një kamion me 10 mijë maska mbrojtëse, të cilat kishin si destinacion Shqipërinë.

Marrë shkas kjo ngjarje, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe homologet e tij në Ballkanin Perëndimor, i janë drejtuar me një letër Bashkimit Europian.

Ata kërkojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor, të përjashohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga BE si dhe të gjithë fondet në dispozicion të luftës ndaj COVID-19.

Letra i është dërguar presidentit të PE, David Sassoli dhe presidents së KE, Ursula von der Leyen.

Në letër thuhet, se vendet e Ballkanit Perëndimor mirëpresin çdo lloj ndihme që BE është e gatshme të vërë në dispozicion të vendeve të Ballkanit.

“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19,  numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e paisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së;  Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të paisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të  lejohen që një pjesë e fondeve  të Programit  IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet  e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19.  Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vërë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruhet në letrën e kryeparlamentarëve të rajonit.

Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Denis Zvizdic; Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve të Bosnjë- Hercegovinës dhe Dragan Covic, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Vjosa Osmani,Kryetare e Kuvendit të Kosovës;  Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkovic, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.

Shpërndaje
Share.

Komento