Skip to content
Të Gjitha

Blindohet Tirana: Zbulohen detaje të reja nga grabitja e 2 mln eurove në Rinas

· 2 min lexim

Dy prokurorë të Krimeve të Rënda kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku është grabitur një automjet që transportonte para të një banke të nivelit të dytë.

Sipas informacioneve të fundit grabitja ka ndodhur brenda aeroportit të Rinasit e jo në rrugë.

Po kështu mësohet se forcat RENEA janë vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa e gjithë Tirana është në shtetrrethim.

Në të gjithë kryeqytetin dhe rrugët hyrëse e dalëse me Tiranën janë ngritur postblloqe nga policia.

Rruga e Rinasit, pranë aeroportit është blinduar nga forca të shumta të policisë RENEA dhe FNSH, ndërsa prokurorët kanë nisur hetimet.

Mësohet se 4 persona, me një furgon të bardhë me një mbishkrim “Hetimi Tatimor” janë afruar në momentin kur shuma prej 2 milionë eurosh po vendosej në një makinë të blinduar dhe kanë vepruar menjëherë.

Ka patur një shkëmbim zjarri e për pasojë ka mbetur i vdekur roja i makinës së blinduar por kjo e dhënë nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia.

Pas ngjarjes autorët e veshur me rroba ushtarake janë larguar me shpejtësi brenda dy minutash drejt Fushë-Krujës ndërsa pak më vonë është gjetur edhe një makinë e djegur në vendin e quajtur Shkalla e Tujanit.

Dyshohet se mjeti i djegur u përket autorëve por ende informacion nuk ka.

Kjo është grabitja e tretë e kësaj natyre në Rinas.