Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle në vilën e biznesmenit Samir Mane, si dhe në ambientet e zyrës së tij, pas një vendimi të GJKKO-së. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjatë kontrollit është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit, i cili pritet t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme.
Kontrollet janë zhvilluar në vijim të megaoperacionit të SPAK, që goditi tre grupe të dyshuara kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Në qendër të hetimeve janë grupet që dyshohet se drejtoheshin nga Artur Shehu, Artur alias Luciano Koceku dhe Alfredo Hamzai.
Sipas dosjes hetimore, paratë e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se investoheshin në sektorin e ndërtimit përmes biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Orest Sota. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu investime të dyshuara në projektin Green Coast në Palasë, në pronësi të Samir Manes.
Emri i Manes përmendet në materialet hetimore të SPAK, ndërsa burimet konfirmojnë se gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje dhe materiale që mund t’i shërbejnë hetimit. Deri tani, Samir Mane nuk ka bërë asnjë reagim publik lidhur me këtë zhvillim.







