Vitet e fundit, Parisi ka përjetuar një ringjallje befasuese. Biznesmenët, financierët dhe teknikët globalë përmendin vazhdimisht se po kalojnë më shumë kohë në Qytetin e Dritave. Bankat e Wall Street kanë hapur më shumë zyra në qytet. Kapitalistët sipërmarrës po nënshkruajnë më shumë çeqe për kompanitë franceze startup. Një samit vjetor investimesh, i mbajtur çdo maj në Pallatin e Versajës, është kthyer në një ngjarje të rëndësishme në kalendarët e shefave të kompanive më të mëdha në botë. Këtë vit, teksa pinin shampanjë me presidentin francez Emmanuel Macron, drejtuesit e kompanive të ndryshme nga e gjithë bota, premtuan projekte investimi në Francë me një vlerë totale prej 15 miliardë eurosh (16 miliardë dollarë).
Kjo rilindje është pjesë e ambicies së madhe të presidentit Macron për ta bërë Francën më inovatore dhe miqësore ndaj biznesit. Por ky projekt tani është vënë në rrezik. Si partitë e skajit të djathtë që u rritën në votime, ashtu dhe partitë e skajit të majtë, që fituan shumicën në zgjedhjet e fundit legjislative të parakohshme, kanë plane të paqëndrueshme shpenzimesh, që po trembin investitorët. Asnjëra nuk është veçanërisht miqësore ndaj biznesit ndërkombëtar.
Vetëm pak kohë më parë, Parisi, ku po mbahen edhe Lojërat Olimpike, ishte në qendër të vëmendjes. Tani, duket se një re pasigurie po qëndron mbi ringjalljen e tij të madhe tregtare. Kryeqyteti francez, dikur shihej si një qytet i burokracisë, taksave të larta dhe rrugëve të dyndura me njerëz. Një qytet që tërhiqte shumë turistë, por trembte investitorët. Por gjatë shtatë viteve nën drejtimin e presidentit Macron, i cili ka qenë një bankier investimesh, shumë gjëra kanë ndryshuar. Kjo është më e dukshme në dy fusha: financë dhe teknologji.
Rritja në renditjen e qendrave financiare të botës
Gjatë dekadës së fundit, Parisi është ngjitur në renditjen e qendrave financiare të botës (shih grafikun 1). Financuesit francezë tashmë menaxhojnë asete me vlerë 5 trilionë euro, nga 3,8 trilionë euro në vitin 2015. Firma franceze Amundi, që është bërë menaxheri më i madh i fondeve në Europë, ka asete me vlerë 2,1 trilionë euro, më shumë se dyfishi i një dekade më parë. Wall Street ka rritur praninë e saj parisiene. Në vitin 2021, banka më e madhe amerikane JPMorgan Chase deklaroi se Parisi ishte qendra e saj kryesore europiane e tregtisë, dhe atje ka punësuar mbi 1000 njerëz.
Bank of America ka dhjetëfishuar numrin e punonjësve në Paris, në 700 veta; banka Citigroup ka rritur numrin e punonjësve nga 170 në 400, dhe ka në plan të shtojë rreth 200 të tjerë. Banka Morgan Stanley ka dyfishuar numrin e punonjësve në Paris gjatë tre viteve të fundit. Për më tepër, kompanitë startup po tërheqin në Paris kapitalistët e sipërmarrjes nga e gjithë bota. Në tremujorin e parë të këtij viti, ata investuan 1.5 miliardë dollarë në firmat startup me seli në Paris, sipas të dhënave të firmës këshillimore KPMG (shih grafikun 2).
Nga kjo shumë investimesh, rreth 500 milionë dollarë shkoi për firmat që operojnë në fushën e Inteligjencës Artificiale “gjeneruese”, të llojit që prodhoi aplikacionin e njohur ChatGPT. Londra, që historikisht është mbajtur si qendra teknologjike e kontinentit, tërhoqi vetëm 100 milionë dollarë investime në të njëjtën periudhë. Nga kompanitë startup në Europë, me vlerë mbi 100 miliardë dollarë, 21 prej tyre janë franceze, sipas të dhënave të firmës këshillimore GP Bullhound.
Ndërkohë, Britania ka 22 dhe Gjermania ka vetëm 14. Sipas të dhënave të firmës këshillimore Accel, ish-punonjësit e 28 firmave të tilla në Francë kanë krijuar 186 firma të reja startup. Dhe, siç shprehet një investitor i teknologjisë: “Franca është Parisi dhe Parisi është shumë tërheqës për momentin”. Ndryshe nga vala e mëparshme e firmave franceze startup, që ofronin tregti elektronike vendase dhe shërbime celulare, firmat e reja kanë ambicie më të mëdha që nga koha e krijimit të tyre, vëren Philippe Botteri, nga firma këshillimore Accel. Themeluesit e kompanive të reja të Inteligjencës Artificiale, “tani marrin menjëherë një përmasë globale”, pranon Xavier Niel, manjat i telekomunikacionit, i kthyer në kapitalist sipërmarrës dhe themelues i firmës teknologjike Station F, me seli në Paris.
Një valë e re lulëzimi
Mistral AI, një firmë që prodhon modelet më të përparuara të Inteligjencës Artificiale gjeneruese, tani po merr famë të ngjashme me kompaninë më të njohur në botë të Inteligjencës Artificiale, OpenAI, e cila ka krijuar ChatGPT. Së fundmi, ajo grumbulloi 600 milionë euro në një raund financimi që thuhet se i dha firmës një vlerë prej rreth 6 miliardë eurosh. Në maj, firma parisiene e Inteligjencës Artificiale, e quajtur H, dhe e njohur më parë si Holistic AI, njoftoi një raund financimi prej 220 milionë dollarësh, vetëm disa muaj pasi ajo u bashkëthemelua nga një studiues francez në Universitetin Stanford dhe katër ish-punonjës të firmës së Inteligjencës Artificiale DeepMind.
Çfarë e ka nxitur këtë ringjallje të madhe parisiene? Një arsye ka qenë fati. Pasi Britania u largua zyrtarisht nga BE-ja në vitin 2020, bankierët nuk ishin më ligjërisht në gjendje të ofronin disa shërbime nga Londra për klientët e tyre europianë. Për ata financierë që nuk donin të largoheshin nga kryeqyteti britanik, Parisi, vetëm dy orë larg me tren, ishte një zgjidhje më e volitshme sesa Frankfurti. Edhe për ata që vendosën të largoheshin nga Londra, Parisi sigurisht që ishte një vend më i këndshëm për të jetuar.
Një shef financash thotë se kur u kërkoi tregtarëve të tij me seli në Londër që të zhvendoseshin në Frankfurt, ata shkuan në shtëpi, biseduan me familjet e tyre, dhe kur u kthyen të nesërmen, i dhanë përgjigjen: “Kurrsesi”. Kurse kur ai i tha që të zhvendoseshin në Paris, familjet e tyre u përgjigjën menjëherë: “Patjetër që po”. (Këtu kanë ndihmuar edhe masat e lehtësimit tatimor që ofron Franca për të huajt në vitet e para të qëndrimit në vend.)
Ndërkohë, lulëzimi i Inteligjencës Artificiale ka përkuar edhe me aftësitë e zhvilluara matematikore që prej kohësh kanë qenë një pikë e fortë e universiteteve teknike të Parisit. Dy nga gjashtë bashkëthemeluesit e firmës franceze të Inteligjencës Artificiale, Mistral, janë diplomuar në universitetin inxhinierik École Polytechnique; i treti u diplomua në universitetin École Normale Supérieure. Ky grup talentesh tërhoqi gjigantët e teknologjisë amerikane si kompanitë globale Google dhe Meta, të cilët hapën në Paris laboratorë të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale.
Gjithashtu, këtu ka ndihmuar edhe rrjeti elektrik i Francës, i cili mundësohet nga energjia bërthamore, dhe kështu që mund të sigurojë shumë energji të pastër për të ushqyer qendrat e të dhënave të Inteligjencës Artificiale, të cilat kanë nevojë për shumë energji që të funksionojnë. Por sigurisht që në rigjallërimin e kohëve të fundit që ka përjetuar Parisi, kanë luajtur rol shumë më tepër arsye sesa thjesht fati i mirë. Marrim së pari financat, ku Franca nuk ka qenë thjesht një përfituese pasive e pasojave të Brexit. Falë grupeve bankare dhe afërsisë me Bankën Qendrore Europiane, fillimisht ishte Frankfurti vendi më i dukshëm për zhvendosje.
Drejtuesi i bankës JPMorgan Chase, Jamie Dimon kujton se kur banka po kërkonte për herë të parë një alternativë ndaj Londrës pas Brexit, Parisi nuk u përmend shumë në bisedë. Amsterdami, Dublini dhe Frankfurti shiheshin si vende më ekonomike nga ana teknike. Ai që na bëri të ndryshojmë mendje, ishte presidenti francez, thotë zoti Dimon. Macron ia bëri të qartë se Franca ishte e hapur për biznes dhe madje i këshilloi personalisht edhe një vendndodhje të mundshme për një kat tregtar.
“Presidenti francez ka qenë edhe vetë një bankier investimesh. Ai e flet rrjedhshëm gjuhën angleze, ka një mendje shumë të hapur, është pro sipërmarrjes dhe bashkëvepron me lehtësinë më të madhe me bashkësinë e biznesit”, thotë Stéphane Boujnah, shefi francez i firmës europiane Euronext.
Presidenti Macron ka arritur ta shndërrojë me sukses këtë qëndrim pro-biznesit, në një politikë të shëndoshë dhe të parashikueshme. Ministri francez i Financave Bruno Le Maire, e ka mbajtur këtë post që nga viti 2017, periudha më e gjatë e një ministri të Financave në detyrë, që nga koha e themelimit të republikës moderne franceze në vitin 1958, dhe kjo “sjell shumë besueshmëri”, sipas fjalëve të një drejtuesi ekzekutiv. Ai dhe presidenti Macron premtuan që në fillim që të mos i rrisnin taksat dhe e kanë mbajtur fjalën.
Ata vendosën një taksë të sheshtë mbi të ardhurat nga investimet dhe hoqën një taksë mbi pasurinë, që ishte e papëlqyer nga kompanitë e huaja. Ndjenja e qëndrueshmërisë dhe hapjes ndaj botës, është forcuar edhe më shumë nga qeveria rajonale, nën drejtimin e kryetares Valérie Pécresse, e cila ka drejtuar me sukses ecuritë për zgjerimin e rrjetit nëntokësor të qytetit.
Qeveria e presidentit Macron gjithashtu u hodh në veprim shumë herët për të përfituar nga potenciali i Inteligjencës Artificiale dhe për të shfrytëzuar rolin që mund të luante Parisi në zhvillimin e teknologjisë. Qeveria paraqiti strategjinë e parë kombëtare për Inteligjencën Artificiale që në vitin 2018, të hartuar nga matematikani Cédric Villani. Cédric O, një nga bashkëthemeluesit e firmës franceze Mistral, i cili më parë ka qenë ministër i dixhitalizimit i zotit Macron, thotë se një vendim kyç ka qenë tërheqja e kompanive të mëdha teknologjike amerikane. “Në atë kohë, njerëzit na thoshin: do të tregoheni të çmendur po t’u shtroni tapetin e kuq amerikanëve.
Ata do të vjedhin talentin tuaj”. Në fakt, ndodhi e kundërta. Shumë themelues parisienë të Inteligjencës Artificiale, u larguan nga kompanitë e mëdha globale dhe nisën sipërmarrjet e veta në Francë.
Një “bout de suffle”?
Kjo qasje miqësore ndaj biznesit mund të mos i mbijetojë dot ndarjeve parlamentare. Pasi të majtët morën shumicën në zgjedhjet legjislative, ende nuk kanë arritur dakord të formojnë një qeveri. Edhe pse presidenti Macron do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2027, disa nga reformat e tij mund të zhbëhen. Përpara zgjedhjeve si partia e djathtë “Tubimi Kombëtar” e Marine Le Pen, ashtu edhe “Fronti i Ri Popullor” (NFP), një aleancë e krahut të majtë e udhëhequr nga Jean-Luc Mélenchon, premtuan të rikthejnë taksën e pasurisë.
Partia NFP do të rrisë gjithashtu pagën minimale, e cila mund të pengojë krijimin e vendeve të punës. Patrick Martin, kreu i firmës Medef, i ka quajtur të dyja programet e këtyre partive, “një rrezik për ekonominë”. Si rrjedhojë, politika mund të pengojë ringjalljen e Parisit si një qendër tregtare globale. Qyteti ka përfituar nga fakti se ka pasur në krye politikanë që e kuptonin dhe e mirëprisnin biznesin, dhe punonin së bashku për të tërhequr talentin dhe kapitalin e huaj. Teksa ky projekt do të humbasë vrull pas zgjedhjeve parlamentare, shefat e kompanive të botës mund të kenë më pak arsye për të shkuar në Paris./ Monitor