- Reklamë -spot_img
6.5 C
Tirana
Faqja kryesoreAktualitetBERZH: Rreziqet dhe potencialet e ekonomisë në vitin 2023

BERZH: Rreziqet dhe potencialet e ekonomisë në vitin 2023

- Reklamë -spot_img

Ekonomia shqiptare e ka përballuar mirë mjedisin e pafavorshëm makroekonomik global në vitin 2022, por rreziqet vijojnë të mbeten të larta.

Ekaterina Solovova, drejtuese e zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, thotë në një intervistë për “Monitor” se, rreziku kyç afatshkurtër është inflacioni, i cili rëndon shumë familjet, për të cilat produktet thelbësore si ushqimi dhe shërbimet komunale, përbëjnë gati gjysmën e shportës së konsumatorit.

Teksa emigracioni po kthehet në një problem për vendin, Solovova shton se mënyra më e mirë për të luftuar me sukses presionet e gjata të emigracionit është rritja e vendit, e mbështetur nga institucione të forcuara, standarde më të mira të qeverisjes dhe prosperiteti më i lartë, që do të krijonte një numër në rritje të mundësive tërheqëse për punë, duke ndihmuar në parandalimin e emigrimit dhe tërheqjen e diasporës për t’u kthyer në shtëpi.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2022?

Ekonomia shqiptare ka shënuar ecuri të mirë në vitin 2022, ndonëse me ritme më të moderuara se në vitin 2021. Konsumi i familjeve ka mbetur i fortë gjatë gjysmës së parë të vitit, i mbështetur nga një fluks i qëndrueshëm i remitancave dhe rritja e fortë e kredisë për rezidentët.

Por ka pasur edhe disa vështirësi, kryesisht inflacioni (si kudo në rajon), por edhe një tkurrje në aktivitetin industrial dhe të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit, pas efektit që dhanë çmimet më të larta të importit të materialeve të prodhimit dhe ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit.

Kjo shkaktoi ndikim negativ në eksporte. Në të njëjtën kohë, ecuria e fortë e sezonit turistik të këtij viti, teksa ardhjet e turistëve dhe të ardhurat nga turizmi ishin shumë mbi nivelet e para pandemisë, përmirësoi treguesit e llogarive të jashtme dhe fiskale, përpara se të fillonte dimri.

Në përgjithësi, ekonomia shqiptare e ka përballuar mirë mjedisin e pafavorshëm makroekonomik global.

 

Cilat janë rreziqet dhe potencialet më të mëdha të ekonomisë shqiptare në terma afatshkurtër dhe afatgjatë?

Rreziku kyç afatshkurtër është inflacioni, i cili rëndon shumë familjet, për të cilat produktet thelbësore si ushqimi dhe shërbimet komunale, përbëjnë gati gjysmën e shportës së konsumatorit.

Për më tepër, dimri aktual ka të ngjarë të jetë sfidë, duke pasur parasysh luhatshmërinë e prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri dhe çmimet e larta të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Nga ana pozitive, Shqipëria është një vend me baza të shëndetshme makroekonomike dhe me potencial rritjeje. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë, me të drejtë, një shtrëngim gradual të politikës monetare, mbështetur edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit, dhe tashmë ka shenja inkurajuese se inflacioni ka arritur kulmin.

Kriza energjetike ka rezultuar e vështirë për shumicën e vendeve të rajonit, por gjithashtu thekson nevojën për të adresuar dobësitë në prodhimin vendas të energjisë elektrike, pasi kostoja për të mos e bërë këtë është e lartë.

Në këtë drejtim, Shqipëria është veçanërisht e pozicionuar mirë për të shkallëzuar zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme, duke pasur parasysh potencialin e saj të madh dhe të pashfrytëzuar për energjinë diellore dhe të erës.

Kjo është arsyeja pse diversifikimi i burimeve të rinovueshme të energjisë është një nga prioritetet kryesore strategjike të BERZH në Shqipëri. Jam shumë krenare për punën tonë në këtë fushë.

Në vitin 2020 dhe 2021, ne ndihmuam Shqipërinë në kryerjen e ankandeve të para të suksesshme të energjisë diellore për kapacitet 240 MW, të cilat rezultuan në sigurimin e një tarife shumë konkurruese për Shqipërinë, nga një operator ndërkombëtar me reputacion të burimeve të rinovueshme, “Voltalia”. Në fillim të vitit 2022 ka nisur ndërtimi i centralit të parë diellor në Karavasta.

Synimi tjetër është energjia e erës. Ankandi që është duke u zhvilluar ka tërhequr një numër të mirë ofertuesish të qëndrueshëm. Presim me padurim të shohim ofertat përfundimtare në këtë ankand në vitin 2023. Për më tepër, ne po angazhohemi me qeverinë për të eksploruar potencialin e vendit për erën në det të hapur.

 

Rreziqet
Rreziku kyç afatshkurtër është inflacioni, i cili rëndon shumë familjet, për të cilat produktet thelbësore si ushqimi dhe shërbimet komunale, përbëjnë gati gjysmën e shportës së konsumatorit. Për më tepër, dimri aktual ka të ngjarë të jetë një sfidë, duke pasur parasysh luhatshmërinë e prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri dhe çmimet e larta të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

 

Si e prisni ecurinë e ekonomisë së vendit në vitin 2023? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?

Ne presim që ekonomia të vazhdojë të rritet në vitin 2023, por me një ritëm më modest, kryesisht për shkak të mjedisit të vështirë të jashtëm. Presionet inflacioniste pritet të mbeten të larta, duke rënduar për të dytin vit radhazi të ardhurat e disponueshme të individëve dhe kostot e inputeve të bizneseve.

Kushtet e financimit ka të ngjarë të mbeten të shtrënguara, si në tregjet e brendshme, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke ndikuar në vendimet për investime. Pritjet e përkeqësuara të rritjes globale dhe europiane do të japin efekt në ekonominë shqiptare nëpërmjet tregtisë, investimeve dhe lidhjeve të tjera ekonomike.

Nga ana tjetër, ne presim që turizmi të vazhdojë të rritet ndjeshëm, i mbështetur nga interesi në rritje nga vendet e afërta. Remitancat nga diaspora gjithashtu do të vazhdojnë të ndihmojnë në mbështetjen e konsumit familjar.

Në terma afatgjatë, faktor pozitiv është vazhdimi i procesit të përafrimit me BE-në, i cili do të nxisë reforma të rëndësishme dhe do të ndihmojë në mobilizimin e investimeve të rëndësishme në projekte strategjike infrastrukturore, si zhvillimi i energjisë së rinovueshme, hekurudhave dhe rrugëve, rritja e sigurisë energjetike dhe e ndërlidhjes së Shqipërisë.

Këto, nga ana e tyre, do të nxisin zhvillimin ekonomik lokal, nëpërmjet rritjes së punësimit, flukseve tregtare dhe sipërmarrjes. Në BERZH, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të mbështesim këto projekte në Shqipëri, nëpërmjet asistencës dhe financimit tonë teknik.

 

Vitet e fundit kanë treguar se shumë ngjarje janë të pamundura të parashikohen (si për shembull pandemia ose sulmi i Rusisë në Ukrainë). Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar ngjarje të tilla në të ardhmen, ndërkohë që këto ngjarje kanë përkeqësuar financat e saj dhe kanë shtyrë planet për konsolidimin fiskal?

Vitet e fundit janë karakterizuar nga kriza të jashtëzakonshme dhe të gjitha vendet në rajon i rritën shpenzimet fiskale mbi atë që ishte planifikuar fillimisht, në mënyrë që të ofronin mbështetjen e nevojshme për qytetarët dhe ekonominë.

Ndërkohë që masat e mbështetjes fiskale të qeverisë shqiptare për të mbrojtur ekonominë nga këto kriza ishin të nevojshme, është e rëndësishme të sigurohet që masat e politikës fiskale të ardhshme të jenë të shënjestruara mirë dhe të përkohshme.

Strategjia e ardhshme afatmesme e të ardhurave duhet të finalizohet, në një mënyrë të shëndoshë, për të siguruar kthimin në konsolidimin fiskal dhe rindërtimin e amortizatorëve.

Na inkurajon fakti që deficiti fiskal është ngushtuar këtë vit, pavarësisht presioneve të shpenzimeve, dhe se niveli i borxhit publik po bie si përqindje e PBB-së.

Ecuria e mirë e pagesave, stabiliteti makrofinanciar i mbështetur nga rezerva të forta ndërkombëtare, likuiditeti i duhur i siguruar nga emetimi në kohë i eurobondeve dhe angazhimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, të gjitha përforcojnë besimin tonë në stabilitetin e Shqipërisë.

Në fund të fundit, rritja e qëndrueshmërisë dhe aftësisë për t’u përballur me krizat e ardhshme varet, në mënyrë kritike, nga avancimi i axhendës së reformave strukturore, në një sërë fushash dhe sektorësh.

 

Potencialet
Në terma afatgjatë, faktor pozitiv është vazhdimi i procesit të përafrimit me BE-në, i cili do të nxisë reforma të rëndësishme dhe do të ndihmojë në mobilizimin e investimeve të rëndësishme në projekte strategjike infrastrukturore, si zhvillimi i energjisë së rinovueshme, hekurudhave dhe rrugëve, rritja e sigurisë energjetike dhe e ndërlidhjes së Shqipërisë.

 

Fuqia punëtore në Shqipëri po emigron, duke krijuar pengesë të rëndë për ekonominë dhe bizneset. Sipas jush, sa shqetësuese është kjo situatë dhe çfarë duhet bërë nga qeveria dhe aktorët e tjerë për të frenuar ritmet e emigrimit?

Mënyra më e mirë për të luftuar me sukses presionet e gjata të emigracionit është rritja e përpjekjeve për reforma, në mënyrë që të arrihen ritmet e qëndrueshme të rritjes, që i duhen Shqipërisë për të përshpejtuar konvergjencën e saj drejt niveleve të BE-së.

Rritja e vendit, e mbështetur nga institucione të forcuara, standarde më të mira të qeverisjes dhe prosperiteti më i lartë, do të krijonte një numër në rritje të mundësive tërheqëse për punë, duke ndihmuar në parandalimin e emigrimit dhe tërheqjen e diasporës për t’u kthyer në shtëpi.

Diaspora e madhe mund të përdoret gjithashtu si një avantazh për zhvillimin e vendit, nëpërmjet promovimit të lidhjeve ndërkombëtare të investimeve dhe nismave për ndarjen e njohurive, krahas nxitjes së migracionit qarkullues.

Në BERZH, ne besojmë fuqishëm se zgjerimi i aksesit në mundësitë ekonomike për të gjithë është thelbësor, në ndërtimin e ekonomive të qëndrueshme të tregut. Qasja e barabartë në aftësitë që lidhen me tregun i mundëson fuqisë punëtore të marrë pjesë plotësisht në tregun e punës dhe të përfshihet në aktivitete që çojnë në rritje dhe prosperitet ekonomik.

Ne promovojmë dhe zbatojmë zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive si me klientët tanë të sektorit privat, ashtu edhe përmes nismave të politikave në nivel kombëtar, si krijimi i Këshillave të Aftësive Sektoriale.

Meqenëse mospërputhjet e aftësive dhe hendeku midis kërkesave të punëdhënësve dhe kualifikimeve të punonjësve janë të pranishme në shumë vende, BERZH nxit një rol të spikatur të sektorit privat, për të ndikuar në politikat e tregut të punës, për të ngushtuar hendekun midis ofertës dhe kërkesës dhe për të përcaktuar nevojat për aftësi në treg.

Ato janë gjithashtu një mjet themelor për të përmirësuar cilësinë e arsimit profesional dhe për të lehtësuar kalimin nga shkolla në punë, për të adresuar sfida të tilla, si papunësia e të rinjve dhe pjesëmarrja e ulët e grave në tregjet e punës.

Ndërsa procesi për krijimin dhe funksionalizimin e këtyre Këshillave ndryshon, në varësi të sektorëve dhe vendeve, të dhënat tregojnë për rolin jetik që sektori privat mund dhe duhet të luajë në zhvillimin e aftësive dhe qeverisjen.

Prandaj, BERZH ka mbështetur organizmat e udhëhequr nga biznesi, që promovojnë aftësitë e tregut dhe politikat e kapitalit njerëzor, në sektorë të veçantë bazuar në nevojat e industrisë, dhe ka mbështetur vendet ku këshilla të tilla drejtohen nga qeveria, duke siguruar përfaqësimin e sektorit privat në zhvillimin e aftësive, planifikimin dhe qeverisjen.

Deri më tani kemi ndihmuar dhe mbështetur disa këshilla në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në Jordani, Egjipt, Serbi, Turqi, Kazakistan dhe tani në Shqipëri, ku në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, së fundmi kemi nisur një Këshill të aftësive sektoriale në turizëm.

 

Për momentin ndërtimi po tërheq shumë investime në Shqipëri. Si e shihni këtë ecuri? Cilët janë sektorët më të qëndrueshëm për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë shqiptare dhe çfarë duhet bërë për t’i mbështetur dhe për t’i stimuluar ata? Cilët janë sektorët që konsideroni se kanë më shumë potencial për të investuar në të ardhmen?

Aktiviteti i fuqishëm i ndërtimit ka ofruar nxitje të mirëpritur për rritjen ekonomike në vitet e fundit, duke përfshirë rindërtimin pas tërmetit.

Sigurimi i orientimit të investimeve në fusha të rritjes së produktivitetit, si infrastruktura, ka potencial për të nxitur perspektivat afatmesme të rritjes dhe për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike, duke qenë se stoku i kapitalit publik në Shqipëri mbetet dukshëm pas atij të BE-së.

Me rritjen e shpejtë të sektorit të turizmit, që pritet të tërheqë investime në vitet në vijim, ne do të dëshironim të shihnim stimuj të orientuar drejt sigurimit të zhvillimit të tij të qëndrueshëm, duke përfshirë investimet shoqëruese në infrastrukturën bashkiake dhe mjedisore.

Bujqësia është një sektor me potencial kryesisht të pashfrytëzuar, ku formalizimi, masat mbështetëse të bazuara në prodhim dhe nxitja e eksportit mund të ndihmojnë në mobilizimin e investimeve të frytshme.

Sektorët me intensitet dixhital janë me potencial, pasi në mënyrë të pashmangshme fitojnë rëndësi në ekonomi dhe, siç u përmend, Shqipëria është në një pozicion të mirë për të rritur prodhimin e energjisë së pastër.

Më gjerësisht, politikat për të nxitur rezultate më të mira arsimore dhe përmirësim të aftësive duhet të mbështesin zhvillimin e elementeve me vlerë të shtuar më të lartë në të gjithë ambientin ekonomik.

Pjesëmarrja e sektorit privat është thelbësore në këtë proces dhe ajo mund të nxitet, nëpërmjet një kuadri të favorshëm rregullator dhe administrativ, institucioneve më të forta dhe standardeve të qeverisjes, duke rritur mbështetjen për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke nxitur formalizimin e aktiviteteve, duke garantuar efikasitet dhe siguri, shërbimet e qeverisjes elektronike dhe rritjen e efektivitetit të dialogut publik-privat.

 

Si e vlerësoni ecurinë e projekteve tuaja në Shqipëri deri tani?

Viti 2022 ishte një tjetër vit me shumë aktivitete për BERZH në Shqipëri. Deri në ditët e fundit të dhjetorit kemi zgjeruar financimet edhe me rreth 170 milionë euro (përfshirë produktet e garancive të pafinancuara) në 20 projekte, të gjitha përveç një në sektorin privat – një përqindje kaq e lartë e financimit të sektorit privat është e jashtëzakonshme për ne në Shqipëri.

Ndër pikat kryesore është kredia prej 28 milionë dollarësh për grupin turk “Yilidirim”, për blerjen e “Albchrome”. Ky është investimi më i madh i huaj direkt në sektorin minerar shqiptar deri më sot dhe pritet të sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare në proceset e prodhimit dhe standardet mjedisore, shëndetësore dhe të sigurisë.

Pjesëmarrja jonë ishte gjithashtu instrumentale për mobilizimin e financimit të këtij transaksioni nga bankat tregtare të rëndësishme, që erdhi në kohën e rritjes së rreziqeve makro dhe gjeopolitike.

Në sektorin financiar, ne rritëm ndjeshëm mbështetjen tonë për bankat tregtare vendase, nëpërmjet garancive, të tilla si 65 milionë euro “Guarantee4Growth” për “Raiffeisen Bank Albania” dhe linjave të drejtpërdrejta të kreditit të kombinuara me grantet e donatorëve tanë, të cilat synojnë rritjen e kapacitetit kreditues për Shqipërinë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme shqiptare, veçanërisht në sektorët e agrobiznesit dhe turizmit, të cilat ende nuk janë të shërbyera nga bankat.

Në sektorin e energjisë, ne i dhamë OSHEE-së një këst prej 15 milionë eurosh për ndërtimin e një nënstacioni modern nëntokësor në Tiranë, i cili do të përmirësojë sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike në kryeqytet.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, programi ynë “Këshilla për Biznesin e Vogël” ka ofruar 65 projekte individuale këshillimore për SME-të shqiptare dhe ka arritur një numër mbresëlënës prej 1200 SME-ve përmes aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve.

 

Si u ndikua cilësia e portofolit të kredisë nga pandemia dhe inflacioni i lartë?

Portofoli i BERZH-it ka pësuar humbje, jo për shkak të pandemisë apo inflacionit, por për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Megjithatë, në fund të nëntorit, “Fitch Ratings” ka afirmuar Vlerësimin afatgjatë të emetuesit (IDR) të BERZH në ‘AAA’ me pritshmëri të qëndrueshme.

Sipas këtij raporti të disponueshëm publikisht, “vlerësimi i aftësisë paguese balancon kapitalizimin ‘e shkëlqyer’ dhe profilin e rrezikut ‘të ulët’ të bankës.

Falë menaxhimit të mirë të amortizatorëve të kapitalit, banka ka absorbuar humbje të konsiderueshme në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, ndërkohë që ruan ende raporte ‘të shkëlqyera’ të kapitalit sipas kritereve të Fitch.

Pavarësisht rritjes së rrezikut të kredisë në vendet e saj të operimit, Fitch pret që banka të mbajë matjet e aftësisë paguese në përputhje me një vlerësim ‘aaa’ në afat të mesëm”.

Në Shqipëri, portofoli ynë mbetet shumë i fuqishëm, i mbështetur nga një përqindje e lartë e projekteve sovrane. Në të njëjtën kohë, projektet tona të sektorit privat në industritë intensive energjetike u prekën më shumë se të tjerët.

 

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen për sa u përket projekteve dhe mbështetjeve për Shqipërinë?

Pres që viti 2023 të jetë shumë i ngarkuar për ekipin tonë në Shqipëri, me një sërë projektesh të rëndësishme në proces. Në sektorin privat, këto përfshijnë financimin e impiantit diellor të “Voltalia”-s në Karavasta dhe mbështetje të mëtejshme për institucionet financiare dhe klientët tanë të SME-ve, duke përfshirë programin tonë të shkëlqyer “Këshilla për Biznesin e Vogël”.

Në sektorin publik po punohet për miratimin e financimit të disa projekteve strategjike infrastrukturore, duke përfshirë rehabilitimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit, e cila do të bashkëfinancohet nga BEI dhe BE, nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Sektori i energjisë do të vazhdojë të jetë në fokus, si për asistencë teknike, ashtu edhe për investime.

Si institucioni ndërkombëtar financiar lider në kuadër të WBIF, ne do të vazhdojmë të mbështesim aplikimet e Shqipërisë për financimin e granteve të BE-së të projekteve të pranueshme në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Së fundi, ne do të vazhdojmë të fokusojmë një sasi të konsiderueshme të burimeve tona, në mbështetjen e klientëve tanë në zbatimin e projekteve tashmë në portofol. Jam shumë i kënaqur me progresin që kemi bërë këtë vit, në projektet e portofolit tonë të transportit, si Bypass-i i Vlorës dhe Hekurudha Tiranë – Durrës (të dyja projekte të bashkëfinancuara me grante investimi nga BE), falë bashkëpunimit intensiv midis ekipit të BERZH dhe agjencitë zbatuese shqiptare.

Dëshiroj të falënderoj partnerët tanë, klientët dhe homologët e qeverisë në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer në vitin 2022 dhe pres me padurim një vit tjetër produktiv përpara! / Revista Monitor

- Reklamë -spot_img

Duhet lexuar

- Reklamë -spot_img

Artikuj te ngjashëm

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj