Skip to content
Politikë

Berisha rikthehet në Kuvend, votohet sot buxheti i vitit 2025

· 1 min lexim

Kuvendi pritet të miratojë sot buxhetin e vitit 2025.

Pasi ka kaluar shqyrtimin dhe diskutimet në të gjitha komisionet parlamentare, tashmë buxheti do të miratohet nen për nen dhe në tërësi në Kuvend.

Rikthimi i Sali Berishës përkon me depozitimin e 34 amendamenteve të PD-së për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij.

Në të njëjtën kohë, Partia e Lirisë ka paraqitur 11 amendamente që kërkojnë shtesë prej rreth 45 miliardë lekësh në buxhet.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, u ka kërkuar deputetëve të kësaj partie të jenë të pranishëm dhe të angazhuar në diskutimet për buxhetin në seancën e sotme.

Socialistët janë udhëzuar të fokusohen veçanërisht te amendamentet e PD-së.

Propozimet e PD-së përfshijnë caktimin e minimumit jetik në 200 euro, rritjen e pensioneve dhe shtimin e fondeve për shërbimin onkologjik.

Ndërsa Partia e Lirisë është fokusuar kryesisht te rritja e pensioneve, pagave dhe ndihmës ekonomike.

Në parim buxheti me një vlerë prej 8.2 miliardë euro u votua në 19 dhjetor mes debateve dhe protestave me 75 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim.