Skip to content
Politikë

Begaj dënon me forcë sulmin ndaj policisë në Kosovë dhe garanton mbështetje: Shqipëria është gjithmonë në krah të Kosovës

· 2 min lexim

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar me forcë sulmin me armë zjarri në Kosovë, ku një efektiv policie u vra në krye të detyrës. Sipas Begajt ky është një cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe për këtë i bën  thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë. ‘Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës’, shton ai.

REAGIMI
Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.
Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët.
Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.