Diskutimi për Projektkodin Civil, i cili ka nisur në seancën e Kuvendit të Kosovës pas prezantimit të shkurtër të materies së këtij Projektkodi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po përcillet me debate nga deputetët e Kuvendit. Debati është përqendruar te materia e Projektkodin Civil që definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.
Ky është leximi i parë Projektkodit Civil në Kuvendin e Kosovës. Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka theksuar se Projektkodi Civil ka rregulluar vetëm martesën e personave me gjini të ndryshme.
“Përderisa Draftkodi Civil nuk e rregullon martesën e personave me gjini të njëjtë, por vetëm në mënyrë afirmative e njeh ‘bashkësinë civile’, duke referuar që në të ardhmen, duhet të nxirret një ligj i veçantë, i cili cakton kushtet dhe procedurën e martesës në mes personave të gjinisë së njëjtë”, ka thënë Kusari-Lila.
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, më herët gjatë senacës ka thënë që lidhur me Projektkodin Civil dhe në veçanti për “bashkësitë civile” ndërmjet gjinive të njëjta, patën reaguar bashkësitë fetare në Kosovë.
“Ky ka qenë një debat i gjatë në Republikën tonë dhe neve na intereson mendimi i kryeministrit për këtë çështje, sepse nuk është prononcuar asnjëherë”, tha Tahiri.
Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se fokusi në çështjen e definimit të martesës dhe “bashkësisë civile” ka lënë anash shumë çështje tjera të rëndësishme që rregullon materia e Projektkodit Civil.
“Nëse qëndrimi i Qeverisë është ashtu siç e ka artikuluar në Projektkod, që ‘bashkësitë civile’ të njihen si kategori tash e tutje dhe të përcaktohen me ligj të veçantë, atëherë, a ka bërë punë Qeveria e Kosovës që ta kemi një ligj të veçantë dhe në çfarë faze është kjo. Nëse është dashur që vetëm në mënyrë afirmative ta sjellim këtu… Por, në Kushtetutë është kjo sjellje afirmative. Pse është dashur që në Kodin Civil të ripërsëritet kjo qasje afirmative”, ka pyetur Selmanaj.
Besnik Tahiraj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se qytetarëve duhet thënë troç mendimin lidhur me “bashkësitë civile”.
“Ne e kemi diskutuar këtë çështje në detaje dhe si Grup Parlamentar jemi deklaruar para tre javësh se jemi kundër versionit të këtij Kodi Civil”, ka deklaruar Tahiri.
Erxhan Galushi i cili ka prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar Multietnik, theksoi se Projektkodit Civil i janë shtuar risi të reja, sidomos pjesa e materies që trajton martesën, për të cilat ky grup parlamentar konsideron që janë kundër vlerave dhe traditave familjare dhe të vendit.
“Unë mendoj që e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme, ashtu sikurse pa natyrshmëria nuk mund të jetë kurrë e natyrshme. Publikimi dhe promovimi i të jashtëzakonshmes në diçka të zakonshme mendojmë se është fyerje për shumicën e zakonshme”, ka theksuar Galushi.
Kurti: Kodi nuk rregullon martesat mes gjinisë së njëtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit, ka thënë se “regjistrimi i ‘bashkësive civile’ të personave me sekse të njëjta” është pika brenda Projektkodit Civil, “për të cilën ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime”. Ai ka theksuar se të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve dhe këtë e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës, si dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai ka theksuar që te “regjistrimi i bashkësive civile të personave me sekse të njëjta”, në Nenin 1138, është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si “bashkësi civile”.
“Kodi nuk i ka rregulluar kushtet dhe procedurën për këtë institucion të ri, por vetëm në mënyrë afirmative e ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë. Pra, Kodi nuk është i mjaftueshëm. Kjo është në pajtim të plotë edhe me Kushtetutën, e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi, përfshirë edhe diskriminimin në bazë të gjinisë. Po ashtu më duhet të theksoj që Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me sekse të njëjta. Kjo dallon me ‘bashkësinë e regjistruar civile’ ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ndryshe, në Projektkodit Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë. Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.
Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”. Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror. Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë./REL