Skip to content
Të Gjitha

Basha mbledh Kryesinë e Partisë, vazhdon diskutimi për djegien e mandateve

· 2 min lexim

Partia Demokratike vazhdon me idenë e saj për djegien e mandateve, ndaj edhe ka mbledhur edhe një herë Kryesinë e partisë.

Mbledhja ka nisur që prej orës 18:00 dhe vazhdon ende, ku mësohet se tema e diskutimit vazhdon të mbetet hapat  e mëtejshëm  përsa i përket vendimit të bërë publik ditën e djeshme për heqjen dorë nga mandatet.

Diskutimet vazhdojnë ende dhe nuk dihet nëse ka një konkluzion të qartë tashmë, duke marrë parasysh edhe reagimet e bëra nga disa prej organizatave më të rëndësishme evropiane e së fundmi nga Ambasada e SHBA-së. Gjithsesi Kryesia mund të jetë unanime, por vendimi përfundimtar i takon Këshillit Kombëtar i PD-së.

Që prej ditës së djeshme, Basha ka lajmëruar mbledhje e Këshillit Kombëtar, por ende nuk kemi një datë dhe orë të saktë se kur do të ndodhë kjo mbledhje. Megjithatë procesi i djegies së mandateve sigurisht që do të kalojë përmes një procedure individuale të deputetëve, sikundër e parashikon ligji. Faktori ndërkombëtar deri më tani është rreshtuar kundër opozitës.

Opozita duket e vendosur për të mos t’u tërhequr nga vendimi për “qeveri tranzitore”, ndërkohë që është paralajmëruar edhe protesta e ditës së enjte para Kuvendit, e cila nga fjalët dhe deklaratat e bëra mund të mos jetë me nota paqësore.

Megjithatë pritet të shohim se si do të rrjedhin zhvillimet në ditët e ardhshme.