Skip to content
Të Gjitha

Avokati i Thaçit kap mat prokurorin: Pse nuk është “shtëpia e verdhë” në aktakuzë?

· 2 min lexim

Në javët e ardhshme do të kërkojmë lirim me kusht për Thaçin, deklaroi avokati David Hooper, që po mbron ish-Presidentin Hashim Thaçi në Gjyaktën Speciale në Hagë.  Ai ka thënë se do të kërkojnë në javët e ardhshme lirim të përkohshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Unë mund ta paraqes këtu Thaçin njëri me dinjitet dhe ndershmëri, njeri që i ka shërbyer vendit në liri dhe paqe, burrë që ka arritur shumë dhe nuk i meriton këto pretendime”, ka thënë ai.

“Thaçi doli mbi luftën e UÇK-së si zëri i arsyes, duke shtuar se ishte pikërisht ai personi që çoi vendin drejt pavarësisë”, ka thënë Hooper duke e cituar Bob Dole.

Avokati David Hooper ka pyetur se ku janë pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historia e shtëpisë së verdhë.

Ai ka thënë se në këto pretendime jo që është njollë për Kosovën dhe kosovarët, por sipas tij, nga ai pretendim i krijua Gjykata Speciale.

Hooper ka thënë se në Gjykatën Speciale nuk ka asnjë emblemë të Kosovës.

“Dua të bëjë të qartë se ai e kundërshton të gjithë narrativen e paraqitur nga prokuroria. Ne jemi në dijeni që prokuroria ka deklaruar që qe në qershor i është dorëzuar një aktakuzë, megjithëse është e çuditshme. Aktakuza është e paredaktuar dhe është e pakuptueshme. Kur e shikojmë aktakuzën themi ku janë akuzat për vjedhjen e organeve dhe shtëpinë e verdhë sepse ky ishte pretendimi”, ka thënë ai.

Hooper deklaroi se aktakuza është thjesht përmbledhje të incidenteve që janë gjykuar në gjykatat në Kosovë dhe gjykatën e ish-Jugosllavisë.

Gjithashtu, Hooper ka thënë se është habitur kur e ka parë Thaçin të sillet në dhomën e gjykimit me pranga në duar. Ai ka thënë se kjo është për të ardhur turp.

“Nuk jeni organ ndëshkimi, nuk besoj se jeni kështu, shpresoj të jetë kështu, e të mos uleni integritetin e personit deri në at pikë”.

Ndërkaq gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se nuk ka trajtim të posaçëm për Thaçin sa i përket prangave.

“Sa i takon prangave, nuk ka trajtim të posaçëm për klientin tuaj, është procedurë që aplikojmë për çdo person që vjen në sallën e gjyqit”, ka thënë ai.

/GazetaReforma.com/