Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e Mirënjohjes Publike për forcat që luftuan me zjarret, njoftoi sërish për “flotën shqiptare të avionëve zjarrfikës”, për monitorim me dronë dhe kamera termike. Premtimet u shoqëruan me propagandë për “masa të reja”, korridore natyrore, rimbjellje sipërfaqesh të djegura dhe qendra të integruara kontrolli.
Por Shqipëria u dogj para syve tanë. Qytete dhe fshatra të tëra u evakuuan, pacientë u nxorën me urgjencë nga spitalet, zjarrfikësit u lanë të luftonin me degë dhe lopata. Premtimet për avionët zjarrfikës nuk ekzistuan, satelitët e paguar me miliona nuk dhanë asnjë paralajmërim, dhe realiteti ishte vetëm improvizim.
Rama u përpoq të justifikohej duke thumbuar mediat si “zjarrfikëset online”, e duke thënë se edhe vende të tjera marrin ndihmë nga jashtë. Por këtu nuk bëhet fjalë për solidaritetin europian, por për dështimin e shtetit shqiptar për të pasur minimumin e mjeteve bazë që mund të bliheshin prej kohësh.
Kryeministri vetë kishte deklaruar para verës:
“Duke filluar nga kjo verë, flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion dy avionë zjarrfikës. Janë bërë marrëveshjet. Në dispozicion, në gatishmëri për ne, pa pritur që të vijnë nga një vend, apo nga një vend tjetër.”
Asgjë nuk ndodhi. Premtimi u zhduk bashkë me tymnajat mbi pyjet e djegura. Satelitët që do të “shihnin çdo cep të territorit” u kthyen në një mashtrim tjetër. Dhe Shqipëria pagoi me qindra milionë euro dëme materiale dhe me dëme të pamatshme njerëzore, shëndetësore dhe mjedisore.
Ndërkohë nevojitej një paketë minimale, reale, për t’i dhënë fund katastrofave, që nuk kushton më shumë se 10 deri në 20 milionë euro. Sipas sugjerimit tonë:
-
2 avionë zjarrfikës të përdorur AT-802 Fire Boss, gati në treg.
-
1 helikopter i mesëm me qira sezonale.
-
10 autobote 4×4 dhe 10 pickup ndërhyrje të shpejtë.
-
300 sete PPE, 200 pompa shpine, 200 radio digjitale.
-
20 dronë me kamera termike, 30 pika vrojtimi të pajisura.
-
Qendër unike dispeçerie me alarme publike satelitore.
-
Pastrim i 10 mijë hektarëve shkurre në zonat e kuqe.
-
6 pilotë të huaj për sezonin dhe nisje trajnimi për pilotë vendas.
Kostoja fillestare: 8 deri 10 milionë euro. Kosto operative vjetore: jo më shumë se 4 deri 5 milionë euro. Kaq mjafton që çdo vatër të shuhet brenda orëve të para, jo të kthehet në apokalips kombëtar.
Por kjo nuk u bë. Nuk u desh. Nuk interesoi. Dhe sot, pas çdo katastrofe, propaganda ringjall të njëjtat premtime boshe, ndërkohë që Shqipëria shkrumbohet.
Tani presim qindra miliona euro tendera të rinj, për të mbuluar me fasadë dëmet që mund të ishin parandaluar me një investim minimal prej 10 apo 20 milionësh. Para që nuk do të ishin vjedhur, shpërdoruar e çuar dëm, por do të kishin blerë mjetet dhe pajisjet që sot do të na kursenin qindra milionë euro, si dhe dëmet e pamatshme njerëzore e mjedisore.