Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak ndaj Spitalit Amerikan dhe Spitalit Hygeia, duke arsyetuar se nuk ka prova për abuzim me pozitën dominuese, kryesisht sepse një pjesë e çmimeve janë të rregulluara nga shteti dhe konsiderohen transparente.
Hetimi ishte hapur në prill 2025 dhe u mbyll në korrik, por vendimi u publikua vetëm së fundmi, duke ngritur dyshime mbi transparencën e Autoritetit të Konkurrencës.
Në dokument, vetë institucioni pranon se këto spitale kanë pozita dominuese në treg, ofrojnë shërbime ekskluzive dhe operojnë në një treg të përqendruar me barriera të larta hyrjeje. Bëhet fjalë për ndërhyrje si trombektomia mekanike, transplantet dhe diagnostikimi me PET-CT, që cilësohen si “shërbime të domosdoshme”.
Megjithatë, pavarësisht këtij dominimi, Autoriteti i Konkurrencës argumenton se nuk ka abuzim, pasi çmimet për shërbimet e mbuluara nga shteti janë të njëjta për të gjithë dhe vetë spitalet kanë aplikuar zbritje për kategori të caktuara pacientësh.
Ky arsyetim lë jashtë segmentin privat të tregut, ku pacientët shpesh nuk kanë alternativa dhe detyrohen t’u drejtohen këtyre spitaleve.
Po ashtu, dokumenti pranon se këto struktura përfitojnë fonde publike përmes kontratave me FSDKSH, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme dhe një fluks të qëndrueshëm pacientësh.
Autoriteti justifikon mungesën e konkurrencës edhe me argumentin se pacientët mund të zgjedhin trajtim jashtë vendit, një pretendim që mbetet i diskutueshëm për shkak të kostove dhe vështirësive praktike.
Vendimi përfundimtar është mbyllja e hetimit dhe vendosja e një monitorimi njëvjeçar, ndërkohë që emra si Klodian Allajbeu, i lidhur me Spitalin Amerikan, rikthehen në fokus të debatit mbi ndikimin e spitaleve private në treg.
Në thelb, Autoriteti i Konkurrencës pranon dominimin e spitaleve, por e konsideron të pamjaftueshëm për të provuar abuzim, duke e mbyllur çështjen me argumente procedurale dhe sociale.







