Ashpërsimi i dënimeve për dhunën në familje, projektligji depozitohet në Kuvend

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Deputetet socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni kanë depozituar në Kuvend një projektligj, për ashpërsimin e dënimit për dhunën në familje.

Nisma parashikon dënimin nga 1-5 vjet burg, për atë që dhunon bashkëshortin apo bashkëshorten, shkruan “Shqiptarja.com”.

Referuar ligjit aktual, dhuna në familje dënohet deri në 2 vjet burg, duke mos përcaktuar një kufi për dënimin më të ulët.

Kjo ka bërë që dhunuesit t’i shpëtonin ndëshkimit, pasi përcaktohet vetëm kufiri maksimal.

Me propozimet e reja, nëse dhuna është e përsëritur, personi i akuzuar dënohet nga 2 deri në 10 vite burg.

Në projektligj përfshihet dhuna fizike, dhuna seksuale dhe ajo psiko-emocionale.

Aktualisht, dhuna e përsëritur sanksionohet me 1-5 vite burg, bazuar në ndryshimet ligjore të vitit 2012 dhe 2013.

Deputetet socialiste mendojnë se zbatimi i këtyre masave ndëshkuese, nuk ka ulur dhunën ndaj gruas, por në disa raste e ka shtuar atë.

Në shumë raste janë dhunuar edhe ato gra që kanë pasur urdhër mbrojtje.

Shpërndaje
Share.

Komento