Në mes të protestave qytetare dhe klimës së tensionuar politike në vend, Parlamenti vijon axhendën e tij sikur jashtë dyerve të tij të mos po ndodhte asgjë.
Mazhoranca pritet të miratojë amnistinë penale, nga e cila 466 të dënuar do të lirohen nga burgjet, ndërsa 869 persona të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Tonin Gogu, mes personave që do të lirohen janë 11 gra dhe një i mitur. Ndërkohë, nga ulja e dënimit përfitojnë edhe tetë gra dhe dy të mitur.
Gogu sqaroi se amnistia nuk prek çështjet që janë në kompetencë të SPAK dhe se veprat që lidhen me krimin e organizuar apo korrupsionin nuk përfitojnë.
Por përtej përmbajtjes së projektligjit, ajo që bie në sy është momenti. Ndërsa vendi është përfshirë nga protesta dhe qytetarët kërkojnë llogari për korrupsionin, oligarkët dhe mënyrën si po qeveriset vendi, Parlamenti vijon të kalojë vendime të rëndësishme me një normalitet të ftohtë.
Kjo është arroganca e pushtetit: të vazhdosh sikur asgjë nuk ka ndodhur, ndërsa qytetarët në rrugë po kërkojnë përgjegjësi.








