Skip to content
Kryesore

Arrestohet me armë në Bllok biznesmeni Mark Kola, në makinë me vajzën e oligarkut

· 1 min lexim

Policia e Tiranës ka vënë në pranga biznesmenin 34-vjeçar Mark Kola, pronar i disa lokaleve në kryeqytet, gjatë një kontrolli të kryer mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-Bllokut.

Gjatë kontrollit fizik, efektivët e Komisariatit nr. 2 gjetën dhe sekuestruan një pistoletë dhe një krehër me municion luftarak. Policia sekuestroi gjithashtu automjetin luksoz të biznesmenit.

Në momentin e arrestimit, Kola ndodhej në automjet me vajzën e një oligarku. Vajza, e cila mund të përballet me akuzën e moskallëzimit të krimit, nuk është paraqitur ende përpara autoriteteve.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se pas arrestimit ka pasur presione të shumta për mbulimin e ngjarjes, përfshirë telefonata kërcënuese. Ndërhyrjet vazhdojnë edhe sot ndaj prokurorit që po heton çështjen, me synim lehtësimin e pozitës së biznesmenit, i cili rrezikon deri në 7 vite burg për armëmbajtje pa leje.

Mark Kola rezulton të jetë një person i skeduar nga organet ligjzbatuese. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një oficer i policisë gjyqësore në Tiranë u gjet i vdekur në rrethana të paqarta, pasi kishte dorëzuar në prokurori dokumentet për arrestimin e djalit të një biznesmeni të fuqishëm.