Skip to content
Kryesore

Arrestohet drejtori i Spitalit të Fierit, Arben Voja: Dyshohet për tjetërsimin e 44 mijë m² tokë shtetërore

· 3 min lexim

Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është arrestuar me dyshimet për përfshirje në tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, gjatë periudhës kur drejtonte Kadastrën e Fierit. Prona dyshohet se është kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi private për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Prokuroria e Fierit ka lëshuar katër urdhër-arreste ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në këtë skemë. Sipas hetimeve, përmes dokumenteve të falsifikuara, sipërfaqja shtetërore ka kaluar në pronësi të Halil Gashit, me qëllim ndërtimin e paneleve diellore.

Voja, i cili aktualisht drejton Spitalin e Fierit, dyshohet për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Pas më shumë se katër orësh marrjeje në pyetje, ai është dërguar në paraburgim.

Masat e arrestit me burg janë lëshuar edhe për:

  • Dilaver Shytin, ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas;
  • Fjorelo Bidën, punonjëse e Kadastrës së Fierit;
  • Anila Haxhiun, notere.

Ndërkohë, për Arbina Jaupajn, gjithashtu punonjëse e Kadastrës, është caktuar masa e detyrimit për paraqitje, së bashku me bllokimin e pasaportës për të penguar largimin e saj jashtë vendit.

Arben Voja, i kallëzuar më parë për shpërdorim detyre

Arrestimi i sotëm nuk është rasti i parë kur emri i Arben Vojës përfshihet në procedime për shkelje të dyshuara gjatë ushtrimit të funksioneve publike.

Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës e kallëzoi Vojën në SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar se veprimet e tij i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej 9.5 milionë lekësh.

Më pas, në dhjetor 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Vojën dhe gjashtë punonjës të tjerë në një çështje të veçantë, që lidhej me shkelje të dyshuara në dhënien e lejeve mjedisore gjatë periudhës kur ai drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër.

Pavarësisht këtyre procedimeve, Voja vijonte të mbante një tjetër funksion drejtues publik, atë të drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit, deri në arrestimin e tij.

Kadastra e Fierit, sërish nën hetim: Mbi 1,100 hektarë tokë në një tjetër dosje

Arrestimet e fundit vijnë vetëm dy muaj pas një tjetër operacioni që goditi ish-drejtues të Kadastrës së Fierit.

Në shtator 2026, gjykata la në burg dy ish-drejtuesit Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, si dhe ish-specialistin Piro Çela.

Ata u hetuan për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, nën dyshimin se kishin mundësuar tjetërsimin e mbi 1,100 hektarëve tokë në zonën e Semanit, në favor të ndërtuesve dhe përfituesve privatë.

Gjatë atyre hetimeve u sekuestruan sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe mbi 700 mijë euro.

Dosja e re e Povelçës e vendos sërish Kadastrën e Fierit në qendër të hetimeve për kalimin e pronave shtetërore në duar private. Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar mekanizmin e tjetërsimit të 44 mijë metrave katrorë dhe përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë.

Ndërkohë, fakti që Arben Voja ka vijuar të emërohet në funksione drejtuese publike, pavarësisht kallëzimeve dhe procedimeve të mëparshme, ngre pikëpyetje mbi kriteret e emërimit dhe kontrollin institucional të drejtuesve të administratës shtetërore.