Apeli Elës, gruas nga Lezha që po përballet me kancerin në gji
“Ju bëj apel nënave shqiptare të shkojnë dhe të bëjnë rregullisht kontrolle tek mjekët”, apeli është bërë nga Ela, një grua e varfër nga Lezha, e cila po përballet me situatën më të rëndë të jetës së saj që kur zbuloi se kishte tumor në gji.
Në momentin që ajo e zbuloi, përballja me realitetin ishte tepër e vështirë për shkak të kushteve ekonomike.
“Jam njeri fukara. Vetëm qaja kur mora vesh. Jam me 90 mijë lekë në muaj, me një djalë jetim”, tregon Ela situatën e saj, gjatë një reportazhi në TCH.
Ela vijon sërish terapitë, sigurisht mes vështirësive të mëdha. Si të mos mjaftonte sëmundja dhe varfëria, shtëpia e saj u dëmtua nga tërmeti dhe që prej asaj dite ajo jeton në shtëpinë e vajzës së saj.
“Me kanë dhënë vetëm një milion lekë për shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti. Se si do ta ndërtoj shtëpinë me kaq lekë nuk e di”, tregon Ela.
Tashmë asaj i kanë mbetur dhe pak terapi dhe me besim dhe shpresë po ia del në luftën kundër kësaj sëmundjeje.
/GazetaReforma.com/