Skip to content
Të Gjitha

Anulohet protesta para kryeministrisë, Liga Profesioniste mblidhet të hënën për hapin e radhës

· 1 min lexim

Protesta e organizuar për ditën e shtunë përpara kryeministrisë nga Liga Profesioniste nuk do të zhvillohet.

Mësohet se shkak për shtyrjen e tubimit të tyre ka qenë policia e shtetit e cila nuk u ka dhënë leje klubeve të Kategorisë Superiore për të demonstruar pakënaqësinë ndaj refuzimit të qeverisë për plotësimin e 4 kërkesave primare të ndryshimeve ligjore për ekonominë e sportit shqiptar.

Në këtë situatë, Liga Profesioniste do të mblidhet ditën e hënë për të përcaktuar hapin e radhës. Ndërkohë kujtojmë se kërkesat e Ligës së Futbollit për qeverinë janë miratimi i një ligji për sponsorizimet sipas propozimit të klubeve, përfshirjen e çdo aktiviteti ekonomik të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6 për qind, anulimin e gjobave e kamatëvonesave për detyrimet fiskale të prapambetura, dhe përjashtimin nga tatimi të të ardhurave të futbollistëve me 10 vjet, jo me 2 vjet sipas vendimit të qeverisë.