Skip to content
Politikë

Ankimi i PL-së Kreshnik Hajdarin, KAS: Do t’i shqyrtohet sërish mandati

· 2 min lexim

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ-së ka pranuar sot pjesërisht ankimin e Partisë së Lirisë, lidhur me vendimin e Ilirjan Celibashit për dhënien e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdarit.

Sipas njoftimit të KAS, Celibashi do të shqyrtojë përsëri kërkesën për heqjen e mandatit e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Kujtojmë se ai akuzohet nga opozita se ka fshehur një dënim të formës së prerë të marrë nga Gjykata e Greqisë vite më parë.

Njoftimi i KAS:

“KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore numër 95/1 datë 24.11.2023 paraqitur nga Partia e Lirisë.

Shfuqizimin e vendimit nr 816 dt 14.11 2023 të komisionerit shtetëror të zgjedhjeve për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të prokurorit të përgjithshëm për subjektin Kreshnik Hajdari, kryetari i bashkisë Kuçovë.

Kthimin e çështjes për shqyrtim te Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duke e lënë detyrë që të shqyrtojë faktin nëse KQZ në trajtimin e kërkesës ndodhet në kushtet e nenit 66 të Kodit të Procedurës Administrative”, thuhet në vendimin e KAS. Kujtojmë se ka qenë Lefter Maliqi ai që në emër të Partisë e Lirisë ka kërkuar heqjen e mandatit të Kreshnik Hajdarit, ndërsa shkak është bërë mosdeklarimi i një dënimi në Greqi, të cilën nuk e ka plotësuar në formularin e dekriminalizimit.