Skip to content
Aktualitet

Ambasada Amerikane, apel SHÇBA-së: Zbatoni ligjin, ja çfarë marrëveshje kemi nënshkruar

· 2 min lexim

Ambasada Amerikane në Shqipëri i ka bërë apel SHÇBA-së që të zbatojë me përpikmëri ligjin. Gjithashtu, njoftohet se ditën e djeshme, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, Ben Rockwell dhe Atasheu i Asistencës për Zbatimin e Ligjit, Ron Hendren, kanë pasur një takim me drejtorin e SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullakun.

Në këtë takim, është firmosur një marrëveshje ku Amerika ndihmon insitucionin e  Punëve të Brendshme dhe Ankesave me një pajisje poligrafike. Nuk kanë munguar as diskutimet mbi reformat e rëndësishme legjislative.

“Ambasada Amerikane mbështet një Shërbim të fortë, të pavarur dhe efektiv të Punëve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), në punën e saj të rëndësishme për të siguruar integritetin dhe llogaridhënien e ligjit shqiptar.

Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, Ben Rockwell, si dhe Atasheu i Asistencës për Zbatimin e Ligjit, Ron Hendren, u takuan ditën e djeshme me Drejtorin e Përgjithshëm të SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku, për të diskutuar mbi reformat e rëndësishme legjislative në vazhdim, si dhe për të nënshkruar një marrëveshje dhurimi në mbështetje të njësisë poligrafike të SHÇBA-së”, shkruhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane në faqen zyrtare në “Twitter”.

Ambasada ka lobuar shpesh kohët e fundit për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me ambasadoren amerikane Yuri Kim që ka dalë disa herë me deklarata publike.