Një valë shqetësuese retorike po rrezikon marrëdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjithçka nisi verën e kaluar, me një shkëndijë që më pas do të shndërrohej në një zjarr urrejtjeje. Aktori i njohur nga Kosova, Osman Azemi, u shpreh në një emision gjatë gushtit të vitit të kaluar se shqiptarët e Shqipërisë kanë inate ndaj atyre të Kosovës, duke shkaktuar reagime të shumta. Ai tha se Shqipëria nuk ka emra si Rita Ora, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi, Xherdan Shaqiri e shumë të tjerë.
Ish-aktori i Shtupcave deklaroi më tej se inate të tilla mund të bëjnë atë që në ardhmen ta kalojë kufirin nga Rozhaja në Mal të Zi dhe jo nga Morina, në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Deklarata e tij bëri xhiron e mediave në të dyja vendet – dhe këtu qëndron gabimi i parë: mediat nuk duhej ta përçonin këtë retorikë ndarëse, aq më pak ta promovonin.
Tepër shqetësues ishte reagimi që pasoi: një pjesë e madhe e publikut e mbështeti këtë qëndrim, duke nxitur në rrjetet sociale përplasje mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë për figurat me gjak shqiptar që na kanë bërë krenarë në arenën ndërkombëtare.
Nga këtu nisi e gjitha. Në mediat sociale u shfaqën edhe thirrje që shqiptarët e Kosovës, për pushimet verore, të zgjidhnin destinacione të tjera e jo bregdetin shqiptar. Përtej nacionalizmit sipërfaqësor, retorika të tilla po gërryejnë themelet e bashkëpunimit, respektit dhe vëllazërisë ndërmjet dy vendeve tona.
Fenomeni u intensifikua edhe më tepër kohët e fundit, me vendimin e futbollistit 21-vjeçar nga Kosova, Etnik Brruti, për t’iu bashkuar përfaqësueses së Shqipërisë.
Ky vendim, i cili në thelb simbolizon unitetin e kombit shqiptar në sport, provokoi një valë tjetër deklaratash problematike që po amplifikohen në hapësirën mediatike.
Gazmend Gashi, një figurë publike në Kosovë, në këtë kontekst deklaroi: “Nuk është Kosova me ardh’ e me vjedh. Jo me ardh’ me e vjedh e me dalë me flamur kuq e zi, e me na shit patriotizëm.“
Përdorimi i fjalës “vjedhje” për të përshkruar zgjedhjen individuale të një sportisti është jo vetëm e padrejtë, por edhe insinuon një akt agresioni nga Shqipëria ndaj Kosovës.
Faruk Statovci, trajner, ka shkuar edhe më tej duke deklaruar: “Ata munden me thënë gjithë ditën ‘jena vëllezër’ po s’jena! Ju jeni të Shqipërisë, ne jemi të Kosovës. Pikë.” Kjo deklaratë mohon realitetin e kombit të përbashkët shqiptar dhe minon themelet e identitetit tonë kombëtar.
Viktor Buzhala, gazetar dhe analist politik, ka përdorur një tezë historike të pabazuar për të nxitur ndarjen aktuale: “Prej 1912, Shqipnia vetëm ka marrë prej Kosovës, nuk është mësu me dhanë asgjë.” Kjo deklaratë injoron dekada solidariteti dhe mbështetjeje të ndërsjellë mes dy vendeve, veçanërisht gjatë periudhave të vështira.
Halil Matoshi, gazetar, ka sfiduar vetë konceptin e identitetit kombëtar duke thënë: “Kosova asnjëherë, si entitet juridiko-politik, nuk ka qenë pjesë e Shqipërisë pos në fashizmin italian.” Ky interpretim krijon një përplasje artificiale mes realitetit politik të dy shteteve të pavarura dhe realitetit kulturor e historik të një kombi të përbashkët.
Shqetësuese janë disa nga deklaratat e Nexhmedin Spahiut, studiues, i cili është shprehur: “Të thuash në këtë moment që Kosova është Shqipëri, është pothuaj njëlloj sikur të thuash Kosova është Serbi.” Një ekuivalencë e tillë është thellësisht fyese dhe shkel ndjeshmëritë historike të shqiptarëve kudo që janë.
Roli i mediave në këtë situatë ka qenë veçanërisht problematik. Në vend që të filtrojnë dhe të trajtojnë me përgjegjësi deklaratat nxitëse, shumë media në të dyja vendet i kanë amplifikuar ato, duke i dhënë hapësirë të pamerituar gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes.
Klikimet dhe shikueshmëria e lartë nuk justifikojnë promovimin e përmbajtjes që dëmton kohezionin social dhe kombëtar.
Redaksitë dhe drejtuesit e mediave duhet të marrin përgjegjësinë e tyre etike dhe të refuzojnë të bëhen platformë e narrativave që rrezikojnë unitetin kombëtar. Nuk bëhet fjalë për censurë, por për një standard minimal etik që çdo medium profesional duhet ta zbatojë.
Deklaratat që analizuam paraqesin një rrezik real për unitetin e kombit shqiptar. Ato:
Krijojnë një ndarje artificiale midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sugjerimin se janë dy popuj të ndryshëm me interesa konkurruese;
Mohojnë realitetin historik të kombit të përbashkët shqiptar, duke tentuar të rishkruajnë historinë për qëllime të diskutueshme;
Përdorin një gjuhë përçmuese që nxit ndjenja negative mes bashkëkombësve;
Politizojnë sportin, duke e shndërruar atë nga një fushë bashkëpunimi në një arenë konfliktesh;
Nxisin narrativa viktimizimi që mbjell mosbesim mes qytetarëve të dy vendeve.
Është e rëndësishme të kujtojmë se heronjtë e mëdhenj të kombit shqiptar nuk luftuan vetëm për një pjesë të tokave shqiptare, por për çlirimin dhe përparimin e të gjitha trevave të banuara nga shqiptarët.
Nga Skënderbeu dhe Ismail Qemali, tek Adem Jashari dhe dëshmorët e UÇK-së, ideali i tyre ka qenë liria dhe dinjiteti i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se në cilën anë të kufirit jetojnë.
Etnik Brruti, si shumë sportistë të tjerë para tij, nuk është “tradhtar i kombit” por një djalë i ri që po ndjek ëndrrën e tij sportive duke përfaqësuar flamurin që i përket të gjithë shqiptarëve. Në vend që ta dënojmë, duhet ta mbështesim në këtë rrugëtim dhe të festojmë faktin që talenti shqiptar, pavarësisht se ku lind dhe zhvillohet, i shërben krenarisë së të gjithë kombit.
Bashkimi kombëtar nuk është vetëm një aspiratë historike por një realitet i përditshëm që materializohet përmes bashkëpunimit ekonomik, kulturor, sportiv dhe diplomatik midis dy shteteve shqiptare. Ky bashkëpunim duhet të ruhet dhe forcohet, jo të minohet nga deklarata të papërgjegjshme.
Gjuha e urrejtjes dhe retorika përçarëse duhet të dënohen me vendosmëri nga të gjithë aktorët socialë – politikanët, intelektualët, artistët, sportistët dhe veçanërisht mediat.
Është koha që të kthehemi në vlerat themelore që na bashkojnë dhe të refuzojmë çdo përpjekje për të na ndarë. Ky është detyrimi ynë ndaj gjeneratave të ardhshme që meritojnë të trashëgojnë një komb të bashkuar dhe krenar për identitetin e tij!