Skip to content
Kryesore

Alarm për kancerin e stomakut në Shqipëri! Mjekët: 13 të prekur në 100 mijë banorë

· 2 min lexim

Kanceri i stomakut po prek në mënyrë shqetësuese edhe të rinjtë në Shqipëri, duke u regjistruar raste tek persona të moshës 20 vjeç.

Mjekët gastrohepatologë ngrenë alarmin për rritjen e shpejtë të kësaj sëmundjeje në vend.

“Po rritet frikshëm. Shqipëria ka një incidencë 13 të prekur në 100 mijë banorë, dhe mbajmë vendin e parë në rajon për vdekshmërinë nga kanceri i stomakut”, thekson mjekja gastrohepatologe, Vigjilenca Demiraj.

Simptomat e para që duhet të nxisin kujdes janë: “Këputje, humbje oreksi, neveri nga mishi”, shpjegon ajo.

Një nga shkaqet kryesore është infektimi me helikobakterin në stomak, i cili transmetohet lehtësisht brenda familjes dhe përmes ushqimeve të kontaminuara.

“Ky bakter nëse e ka njëri në familje përhapet shumë shpjet, për shkak të puthjeve apo nëse përdorin gota, lugë të njeri-tjetrit.”

Në një studim të kryer me nxënës të shkollave fillore në Tiranë u zbulua se ky bakter është i pranishëm tek fëmijët 7-10 vjeç: “Ka rezultuar se 80-90% e fëmijëve kishin prani të helikobakterit, por stomaku i fëmijëve është infantil, me kalimin e moshës ky bakter tek disa persona thjeshtë qëndron, por infekton të tjerë, ndërsa tek të tjerë shkakton kancer të stomakut. Tek personat me helikobakter 80% e tyre bëjnë kancer të stomakut”, shpjegon mjekja.

Situata kërkon vëmendje të shtuar dhe kontrolle të hershme për të parandaluar përhapjen dhe përkeqësimin e kësaj sëmundjeje.