Al Jazeera rikthen sytë nga Shqipëria: Protestat kundër Ramës në javën e shtatë

Protestat antiqeveritare në Shqipëri vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Televizioni prestigjioz Al Jazeera i ka kushtuar sërish hapësirë zhvillimeve në vend, duke raportuar se demonstratat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë hyrë tashmë në javën e tyre të shtatë.
Në artikull theksohet se qytetarët po protestojnë prej javësh kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe politikave të ndjekura nga ekzekutivi, ndërsa tubimet vazhdojnë në forma të ndryshme.
Vëmendje e veçantë i kushtohet protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, në momentin kur deputetët po hynin për të marrë pjesë në seancën plenare.
“Protestuesit shqiptarë kanë qëlluar përsëri me vezë ligjvënësit, ndërsa demonstratat antiqeveritare kundër korrupsionit dhe resortit vazhdojnë për javën e shtatë”, shkruan Al Jazeera.
Media ndërkombëtare përcjell edhe zërin e një prej protestuesve, i cili deklaron se qeveria e kryeministrit Edi Rama duhet të largohet, pasi sipas tij ka dështuar të plotësojë nevojat themelore të qytetarëve.
“Toka jonë është shitur. Nuk kemi ilaçe në spitale. Qeveria jonë është e korruptuar. Shqipëria ka vuajtur për vite me radhë. Ne jemi këtu për njerëzit, për vendin. Na duhet një qeveri e re. Duhet ta rrëzojmë këtë qeveri”, u shpreh protestuesi.