Aksioni i SPAK për operacionin “Flakë në det”, arrestohen 3 persona të tjerë

Tre persona të tjerë janë arrestuar me firmë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të operacionit të koduar ‘Flakë në det’. Operacioni i ndërmarrë vitin e kaluar çoi në pranga dhe një Komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, i cili akuzohej se bashkëpunonte me të ashtuquajturin ‘baronin e drogës’, Gëzim Çelën dhe anëtarë të tjerë të grupit me bazë në Fushë Kuqe të Kurbinit. Në pranga kanë rënë personat e identifikuar si Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj.
Për secilin prej tyre, SPAK ka nxjerrë edhe akuzat: “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024. Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregëtare,”– informoi sot SPAK.