Skip to content
Kryesore

Aksioni i Ramës për hapësirat publike, avokati: Pranim i dështimit për ndërtimet pa leje

· 2 min lexim

Avokati Erald Aga ka reaguar në lidhje me aksionin e fundit të kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike, duke e cilësuar këtë iniciativë si një “mea culpa” nga ana e institucioneve shtetërore.

Në një intervistë për emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Aga tha se ky aksion përfaqëson në vetvete një pranim të fajit për mungesën e kontrollit ndaj ndërtimeve pa leje ndër vite.

“Është fakt që nga viti 2015 e në vijim janë zaptuar shumë hapësira publike pa lejet përkatëse. Kjo fushatë është një reflektim i vonuar dhe një formë përgjegjësie e heshtur për mosveprimet institucionale në të kaluarën,” u shpreh ai.

Sipas Agës, njësitë administrative dhe bashkitë mbajnë përgjegjësinë kryesore për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e territorit, duke përfshirë ndalimin e ndërtimeve të paligjshme dhe ruajtjen e pronës publike.

Ai ndaloi edhe tek problematika e hapësirave të përbashkëta në pallatet e banimit, ku shpesh sipërmarrës privatë vendosin struktura të përkohshme, si tenda apo kioska, pa miratim nga komuniteti i banorëve.

“Në këto raste, përgjegjësia bie mbi administratorët e objekteve dhe njësitë administrative, të cilat nuk mund të japin leje pa miratimin e 51% të banorëve. Hapësirat e përbashkëta konsiderohen pronë e përbashkët dhe duhet të trajtohen si të tilla,” theksoi avokati.