Skip to content
Aktualitet

Aksidenti tragjik ku u shua një familje/ Qytetarët protestë, ulen në rrugë para Ministrisë së Brendshme

· 2 min lexim

Një aksident tragjik ndodhi ditën e sotme rreth orës 8 e 23 të mëngjesit në aksin rrugor Fier-Vlorë, në vendin e njohur si “Kripa”, ku humbën jetën katër anëtarë të një familje të cilët sapo ishin kthyer nga Greqia dhe po shkonin me pushime në qytetin e Vlorës. Duke marrë shkasë nga kjo ngjarje por edhe aksidente të tjera që kanë ndodhur ditët e fundit në vend dhjetëra qytetarë i janë bashkuar këtë të premte  protestës së mbajtur para Ministrisë së Brendshme në shenjë sensibilizimi.

Referuar pamjeve të mëposhtme , disa qytetarë së bashku me biçikletat e tyre, bllokuan  rrugën dhe u shtrinë përdhe para ministrisë në shenjë solidarizimi dhe njëherësh revolte për aksidentet e shumta që kanë ndodhur në vendin tonë këto ditë.

Gjithashtu, në media u transmetuan edhe një çift, së bashku me dy fëmijët e tyre, të cilët në shenjë homazhi për viktimat e aksidentit ndezën qirinj para Ministrisë së Brendshme, me arsyetimin se ky është institucioni që duhet të marrë masa për parandalimin e aksidenteve.

Eduart Gushi 44 vjeç, bashkëshortja e tij Silvana 33 vjeçe dhe dy vajzat e çiftit, Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeç u shuan në aksidentin tragjik të kësaj të premteje.

Familja sapo ishte kthyer nga Greqia dhe ishte duke shkuar me pushime në bregdet, kur makina e tyre u përplas nga Audi, në timonin e së cilës ndodhej 22-vjeçari Igli Madani. Ky i fundit u arrestua nga policia.