Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të premte në Rrugën e Kombit, në segmentin Milot–Rrëshen, pranë zonës së Rubikut, ku një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën në rrethana që ende nuk janë sqaruar. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar pasoja fatale për njërin prej personave të përfshirë.
Tre të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre raportohet e rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të përplasjes. Ndërkohë, po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit të mjeteve në këtë aks të rëndësishëm rrugor, ku trafiku është rënduar si pasojë e aksidentit.







