Skip to content
Kryesore

Aksident i rëndë në Elbasan, automjeti del nga rruga dhe përfundon në lokal

· 1 min lexim

Mëngjesin e sotëm në Elbasan ka ndodhur një aksident i rëndë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një lokal pranë kryqëzimit që lidh stadiumin “Elbasan Arena” me Parkun “Rinia”.

Ngjarja, e regjistruar rreth orës 07:55, ka shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme të konsiderueshme materiale. Për pasojë, dy persona që ndodheshin brenda lokalit janë plagosur rëndë.

Të plagosurit janë dërguar menjëherë me urgjencë në spitalin rajonal të Elbasanit, ku po marrin trajtimin e nevojshëm.

Në vendngjarje ndodhet policia, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.