Skip to content
Të Gjitha

Afera e qeverisë me inceneratorët e mbetjeve/ Reagon ambasadorja Amerikane: Kam të gjitha pritshmëritë te SPAK…

· 2 min lexim

Problemi me inceneratorët dhe financimet e dyshimta për to duket se janë vënë edhe në “lupën” e amerikanëve.

Kur në qendër të debatit politik në vend është ndezur më shumë se kurë afera shumëmilionëshe e inceneratorëve të mbetjeve, në të cilën janë përfshirë dhe lakuar tashmë edhe emra të ministrave të qeverisë, befas vjen edhe një sinjal nga SHBA-të.

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e ftuar në emisionin “Opinion”, në “TV Klan”, deklaroi sot se, shumë shpejt do të shihen të tjera rezultate nga SPAK.

“Do të thotë që në muajt e fundit, kemi parë SPAK të deklarojë aktpadi në raste të nivelit të lartë. Tani, nuk mund të flasin për këtë publikisht, sepse kjo është natyra e punës së tyre si prokurorë, por mendoj se do fillojmë të shohim disa rezultate.

Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Më herët theksuat ‘katër vjet e katër muaj’ është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate”,- deklaroi zj. Kim.

E pyetur për aferën e inceneratorëve, ajo përsëriti dy herë të njëjtën gjë.

“Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej”,- tha ambasadorja.

/GazetaReforma.com/