Më 20 tetor 2025, SPAK dorëzoi një aktakuzë prej 45 faqesh ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe pesë zyrtarëve të tjerë për manipulimin e tenderit të tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 170 milionë euro.
Dokumentet, mesazhet telefonike dhe vendimet administrative të përfshira në dosje tregojnë një skemë ku urdhrat politikë dhe ndërhyrjet e brendshme përplasen me ligjin. Projekti strategjik i qeverisë është shndërruar në një provë penale që përfshin nivelet më të larta të administratës publike.
Tuneli i Llogarasë, 6.8 kilometra në aksin Vlorë–Sarandë, nisi si projekt për zhvillimin e jugut, por sot është në qendër të një hetimi ku çdo vendim analizohet në raport me Kodit Penal dhe Ligjin për Prokurimin Publik.
Pyetja themelore që ngre SPAK është e qartë:
Cilat janë shkeljet dhe si ndëshkohen ato sipas ligjit shqiptar?
Që në dhjetor 2020, përpara se të shpallej procedura, dokumentet e tenderit kishin nisur të qarkullonin jozyrtarisht midis këshilltares teknike dhe zyrtares së prokurimit.
Një drejtues, që ende nuk kishte rol formal, ndërhynte në përgatitjen e dokumenteve.
Kjo bie ndesh me Ligjin nr. 162/2020 për Prokurimin Publik, që kërkon paanshmëri dhe transparencë në çdo fazë.
Ndërhyrja nga persona me detyrë shtetërore, që favorizon një operator, është shkelje e barazisë në tender sipas nenit 258 të Kodit Penal.
Dënimi: deri në 3 vite burg dhe heqje e së drejtës për funksione publike.
Në janar 2021, kriteret e garës ndryshuan.
Kërkesa për eksperiencë u ul nga 5 vite në 3, ndërsa vlera e kontratave të ngjashme nga 70% në 50%.
Në mesazhet e përfshira në dosje përmendet se kjo u kërkua nga një “Pellumb” dhe ishte diskutuar me ministren.
Ky veprim përbën favorizim të hapur.
Juridikisht, është sërish shkelje e barazisë në tender (neni 258), me deri 3 vite burg.
Nëse provohet qëllim përfitimi, hyn në fuqi neni 248 – shpërdorimi i detyrës, me deri 7 vite burg.
Në mars 2021, vjen faza tjetër.
Komunikimet e brendshme tregojnë për një plan të qëllimshëm për anulim dhe rishpallje të procedurës, me qëllim djegien e afateve të ankimimit.
Sistemi shënon anulimin pikërisht në minutën kur mbërrin mesazhi:
“E mbyllëm.”
Ky veprim përdor një vendim administrativ për të deformuar garën.
Kualifikohet si shpërdorim detyre (neni 248), me deri 7 vite burg dhe ndalim funksionesh publike.
Më 28 maj 2021, Balluku i dërgon një mesazh Evis Berberit:
“Hermetizëm total, asnjë takim dhe asnjë vendim pa konsultim.”
Në të njëjtin komunikim ajo e quan “një nga personat më të afërt”.
Disa ditë më pas, Berberi emërohet drejtor i përgjithshëm i ARRSH-së dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Ky moment shënon krijimin e një zinxhiri urdhërues-ekzekutues ku vendimmarrja teknike ndikohet nga niveli politik.
Sipas nenit 258 të Kodit Penal, ky ndikim përbën shkelje të barazisë në tender, me deri 3 vite burg dhe ndalim funksionesh publike.
Nëse veprimi kryhet në bashkëpunim, zbatohet neni 25, që e rëndon dënimin.
Në gusht 2021, përfaqësues të kompanive turke vijnë në Tiranë për takime të koordinuara “nesër në 11”.
Ligji për Prokurimin Publik ndalon çdo kontakt me operatorët gjatë garës.
Kjo është sërish shkelje e nenit 258, me deri 3 vite burg, ose neni 248, nëse provohet qëllimi përfitues, me deri 7 vite burg.
Më 7 shtator 2021, ditën e hapjes së ofertave, Evis Berberi i dërgon ministres pamje dhe shifra nga sistemi elektronik të ofertave.
Përgjigjja e saj:
“Qenkemi shkëlqyer.”
Rrjedhja e informacionit konfidencial drejt autoritetit politik përbën shkelje të parimit të fshehtësisë, sërish e dënueshme sipas nenit 258, me deri 3 vite burg.
Nëse provokohet ndikim te rezultati, zbatohet neni 25 për bashkëpunim.
Më 1 tetor 2021, Balluku jep urdhrin e drejtpërdrejtë:
“Nxirre tunelin.”
Vetëm tre orë më pas, shpallet fituesi i tenderit.
Ky akt është provë klasike e ndërhyrjes politike mbi një proces të pavarur.
Në plan penal: neni 258 në bashkëpunim (neni 25) – deri 3 vite burg.
Nëse vërtetohet qëllimi përfitimi: neni 248, deri 7 vite burg.
Fituesi u pranua me dokumente të paplota dhe certifikata ISO të paakredituara.
Konkurrentët e tjerë u skualifikuan për të njëjtat arsye.
Ky standard i dyfishtë është shkelje e qartë e barazisë dhe përbën shkelje të nenit 258, me deri 3 vite burg; nëse provohet qëllimi, deri në 7 vite.
Më 8 nëntor 2021, regjistrohet shoqëria Intekar ASL dhe në të njëjtën ditë firmoset kontrata.
Sinkronizim i plotë.
Ky veprim tregon përgatitje të paracaktuar dhe bie ndesh me frymën e verifikimit paraprak ligjor e financiar.
Sërish, neni 258 – deri 3 vite burg dhe ndalim funksionesh publike.
Sipas dosjes, SPAK ndan përgjegjësitë si më poshtë:
-
Belinda Balluku – autore politike e procesit, e akuzuar për urdhërim dhe orientim të procedurës. Neni 258 dhe 248. 7–9 vite burg, ndalim funksionesh publike deri në 10 vite.
-
Evis Berberi – titullar i ARRSH-së dhe kryetar komisioni; deri 10 vite burg për shkelje dhe bashkëpunim aktiv.
-
Mirzeta Kashnica, Gentian Gjyli, Erald Elezi dhe Jetmira Dervishi – anëtarë të komisionit, për pranim dokumentesh të paplota dhe favorizim të fituesit; 2–4 vite burg dhe ndalim funksionesh publike për 5 vite.
Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, kur një person akuzohet për disa vepra, gjykata jep një dënim unik, që përfshin më të rëndin dhe një pjesë të tjerëve, por jo më shumë se 25 vite burg.
Nëse provohen elementë korrupsioni pasiv apo përfitime financiare, dënimet për drejtuesit mund të rriten deri në 12–15 vite burg.
Por pasojat nuk mbarojnë me burgun.
Ligji parashikon masa plotësuese:
heqje të së drejtës për funksione publike dhe dëmshpërblim financiar në rast dëmi ndaj shtetit.
Në këtë dosje, diferenca prej rreth 10 milionë eurosh midis ofertës më të ulët të skualifikuar dhe asaj fituese mund të hapë një proces civil për riparim dëmi.
Historia e Llogarasë do të mbyllet me një vendim gjykate.
Deri atëherë, ligji flet qartë.
Shkelja e barazisë në tender, ndërhyrja në vlerësim, komunikimi me operatorët gjatë garës dhe shpërdorimi i detyrës janë vije të kuqe penale.
Dënimet variojnë nga 3 deri në 7 vite burg, me ndalim funksionesh publike dhe detyrim dëmshpërblimi.
Njëri nga zyrtarët është tashmë në qeli.
Tjetra përballet me akuzën.
Gjenerali mund të heshtë, por ligji nuk hesht.
Sepse në këtë histori, ligji është i vetmi komandant.
Deklaratë sqaruese:
Ky artikull ofron analizë të informacionit publik dhe interpretim të dispozitave të Kodit Penal, por nuk zëvendëson interpretimin zyrtar të tekstit ligjor apo këshillën e një juristi të licencuar.







