Lear Kurti ndërroi jetë në duart e Policisë së Shtetit mbrëmjen e 19 tetorit, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka dalur me një njoftim zyrtar për mediat.
Në njoftimin e prokurorisë, bëhet me dije se është nisur hetimi për dy vepra penale: Kryerja e veprimeve arbitrare dhe mosdhënia ndihmë.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, organi i akuzës ka marrë në pyetje shokët e viktimës që kanë qenë me të para se të ndodhte ngjarja, ndërsa do të sekuestrohen edhe pamjet filmike të QSUT.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË
NJOFTIM PËR MEDIA
Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka regjistruar proçedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “kryerje e veprimive arbitare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K.Penal.
Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qëndrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.
Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.