Skip to content
Politikë

A e mendon dorëheqjen si opsion pas rezultatit të 6 marsit? Ja si përgjigjet Basha

· 2 min lexim

Bazuar në rezultatin e dobët që Partia Demokratike ka deri më tani në zgjedhjet e  pjesshme vendore, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është pyetur nëse e mendon dorëheqjen si opsion.

Basha nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpdrejtë por e “delegoi” fajin për rezultatin tek pjesëmarrja e ulët e votuesve.

“Gjithë konstatimet që mund të dëshironi të bëni sot janë e drejta juaj. Faktet janë këto, 30% e shqiptarëve kanë marrë pjesë në votime, administrata shtetërore është detyruar të marrë pjesë. Bandat janë përfshirë po ashtu. PD-së i janë mohuar komisionerët. Të gjitha këto zbehen para mesazhit që jep braktisja e procesit të 6 marsit”, deklaroi Basha.

Kujtojmë që deri më tani ka përfunduar numërimi i votave në bashkinë e Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjës, ku ka fituar Partia Socialiste.

Vora ishte bashkia ku rezultati u shpall që mbrëmë. Kandidati socialist Blerim Shera siguroi 69.9 përqind të votave, përkundrejt 24.3 përqind të marra nga Lulzim Vrana, i Shtëpisë së Lirisë dhe 6.29 që kanë shkuar për kandidatin demokrat Ymer Marku.

Ndërsa po ashtu trendi I fitores së kandidatëve të Partisë Socialiste duket edhe tek bashkite e Dibrës dhe Durrësit.

Diferencën e bën Shkodra ku koalicioni “Shtëpia e Lirisë” paraqitet fuqishëm dhe më rezultat pozitiv të votave deri më tani.