Rikthehen ngricat dhe temperaturat në vend, kryesisht në veri dhe në jug. Kësaj here probleme janë hasur nw Llogara, ku është hasur vështirësi lëvizjeje. Prej tre orësh vijon të jetë i bllokuar aksi rrugor Dukat Qafa e Llogarasë për shkak të rreshjeve të borës.
Automjete të shumta kanë ngelur të bllokuara në rrugë duke krijuar edhe trafik. Prej më shumë se katër kilometër ky aks rrugor është i pakalueshëm nga prania e dëborës në rrugë si dhe pas ditës së verës (dje) moti i përkeqësuar i ka gjetur të papërgatitur drejtuesit e automjeteve të cilët kanë lëvizur pa zinxhirë.
Ndërkohë borëpastruesit nuk mund të ndërhyjnë dot pasi rruga ëshë e bllokuar prej trafikut të krijuar nga makinat.
Tre ditë më parë mot i ngjashëm ishte dhe në veri. Dibra u zbardh e gjitha, ndërsa rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe me Librazhdin kaloheshin me zinxhirë për shkak të trashësisë së borës.
Në zona të thella reshjet e borës nisën që në orët e para të mëngjesit dhe për pasojë trashësia kaloi 25 cm.
Ndërkohë rruga nacionale Peshkopi-Tiranë u monitoruan nga firma kontraktore e cila ka në dispozicion 6 mjete borëpastruese dhe 3 fadroma në gatishmëri.
Për shkak të situatës problematike në akset veriore, katër automjete u përplasën në rrugën nacionale Klos- Bulqizë.
Aksidenti ndodhi në afërsi të vendit të quajtur “Qafë Dushk” për shkak të ngricës në rrugë që u krijua nga reshjet e dëborës. Mësohet se nga aksidenti nuk pati të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale.