Është zbardhur kontrata me partinë “Fryma e Re Demokratike”, e cila tregon se leja e përdorimit të ambienteve kishte skaduar 4 vite më parë.
Në dokumentet e zbardhura nga bashkia, kontrata e lidhur për dhënien në përdorim të zyrave që ndodhen në godinën e Bashkisë së Tiranës, që më parë ka qenë ish selia historike e PD, është lidhur më 3 mars 2016 me afat vetëm një vit.
Në nenin 5 kontratës, thuhet se ajo lidhet me një afat 1-vjeçar dhe hyn në fuqi menjëherë në momentin e marrjes në dorëzim të sendit, ku është mbajtur edhe një procesverbal për gjendjen dhe sendet në ato zyra.
Pas përplasjes së djeshme mes policisë bashkiake dhe deputetëve opozitarë dhe Presidentit të vendit Ilir Meta, janë shpallur në kërkim dy persona. Bëhet fjalë për shtetasit Agim Hoxhaj dhe Afrim Sufa, pasi kanë kundërshtuar Policinë Bashkiake.
Kujtojmë se dje një ngjarje e paprecedentë ndodhi në ambientet e selisë së Partisë “Fryma e Re Demokratike”, e drejtuar atualisht nga Sali Shehu.
Policia Bashkiake gjatë mesditës së djeshme kërkoi lirimin e ambienteve pasi ndërtesa ishte një pronë publike dhe sipas bashkisë, zënia e këtyre ambienteve ishte bërë në kundërshtim me ligjin.
Menjëherë Presidenti Meta ka shkuar në vendngjarje dhe me tone të ashpra ka përzënë policët nga selia e FRD-së.
“Dilni nga zyrat ose do t’ju çoj në burg me duart e mia!”, tha Meta.
Në një prononcim për media, Meta e cilësoi ngjarjen përpjekje për të realizuar një grusht shteti.
Ai e konsideroi Bashkinë e Tiranës një bandë dhe ngjarjen e djeshme përpjekje mafioze për të vënë dorë në procesin zgjedhor. Presidenti tha se ka shkuar menjëherë aty pas telefonatës së Sali Shehut.