Kanë mbërritur pask më parë 38 400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca në vendin tonë. Si gjithmonë, Rama i priti krahapur në aeroportin “Nënë Tereza”. Nga aty ai deklaroi se nga dita e nesërme nis vaksinimi për mësuesit, ndërsa lajmëroi ardhjen e 60 mijë dozave të tjera në prill. Sikur të kishte sjellë sasinë më të madhe të mundshme të vaksinave, Rama doli i gatshëm që të vaksinonte edhe mjekët e Kosovës, ndërkohë që kryeministri në detyrë Avdullah Hoti kishte lajëmruar ditën e sotme se dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë në Kosovë për pak javë.
“Nesër nis vaksiinimi për mësuesit. Edhe 60 mijë doza do mbërrijnë në muajin prill. Ideja është që të kemi vaksinim intensiv. Jemi gati, nga nesër që të organizohemi, bashkë me Kosovën, që t’ju japim mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. I presim vëllazërisht, ku do marrin dozat në Kukës.
Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë për të pasur dozat e para të vaksinës anti-Covid”, u shpreh Rama.
Kujtojmë që deri tani në Shqipëri kishin mbërritur vetëm doza të vaksinës Pfizer me të cilën janë kryer deri tani 23,635 vaksinime. Shqipëria pritet të marrë doza të tjera në vazhdim nga programi COVAX.