Presidenti Ilir Meta ka bërë sërish thirrje për respektim të procesit zgjedhor dhe ka paralajmëruar të gjithë ata që do tentojnë të prekin votën. Nga Fieri ai është shprehur se është i bindur që në 25 prill Shqipëriva do t’i thotë po të ardhmes europiane. Presidenti ka thënë se vendi duhet të dalë nga thonjtë e oligarkëve e shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre.
“Jam i bindur se më 25 prill e gjithë Shqipëria do t’i thotë PO së ardhmes europiane të vendit. Kush do gabojë dhe do t’i dalë para këtij vullneti atëherë duhet ta mendojë mirë për pasojat që do të ketë. Erdhi koha që shqiptarët të ndahet nga ky regjim “fake”. Vota e lirë do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky “intubim” i lirive dhe do t’i japë frymëmarrjen e munguar. Shqipëria duhet të dale nga thonjte e oligarkëve. Shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe të së ardhmes së vendit”, tha Meta.
Ndër të tjera presidenti ka paralajmëruar se do i pritet dora kujtdo që prek votën e shqiptarëve dhe se kjo nuk është një shaka e duhet marrë seriozisht.
“Mos e mendoni dhe aq metaforike paralajmërimin tim për prerjen e dorës të kujdo që prek votën e shqiptarëve. Ky paralajmërim duhet marrë seriozisht dhe nuk është shaka. Kush do tentojë të prishë festën e shqiptarëve më 25 prill, ta dijë mirë se do të bëhet kurbani i festës”, deklaroi Meta.